Turqi, referendumi për ndryshimet kushtetuese më 16 prill

10.02.2017 13:28:28

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus, deklaroi sot se referendumi për ndryshimet kushtetuese në këtë vend me siguri do të mbahet më 16 prill të vitit 2017.

“Meqë presidenti miratoi Ligjin për ndryshimet kushtetuese të Republikës së Turqisë, tani është gjithçka në komisionin zgjedhor. Komisioni zgjedhor gjatë ditëve të ardhshme do të bëjë publike vendimin e tij për mbajtjen e referendumit në afatin e paraparë prej 60 ditëve, që tregon 16 prillin, që ishte supozimi i mëhershëm”, tha Kurtulmus.

Ai vuri në dukje se pas votës së qytetarëve më 16 prill, sovraniteti në kuptimin e plotë do t’i takojë popullit. “Populli në këtë proces do të japë vendimin e tij. Shpresoj se kjo fushatë do të kalojë në mënyrën që do të tregojmë pjekurinë e demokracisë turke. Edhe ata që thonë ‘po’, edhe ata që thonë ‘jo’, secili do të tregojë mendimin e tij”, tha Kurtulmus, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai foli edhe për ngjarjen e djeshme në rajonin sirian Al-Bab, kur avionët rusë gabimisht qëlluan një objekt në të cilin gjendeshin ushtarët turq, ku si pasojë humbën jetën 3 pjesëtarë të forcave turke.

“Jemi duke punuar që ky rast tërësisht të zbardhet. Informacionet e para tregojnë për një gabim në koordinim, për fat të keq. Por, si erdhi deri te kjo, se për çfarë lëshimesh në koordinim bëhet fjalë, për atë do të zbatohet hetim me detaje. Është e qartë se në këtë betejë duhet sa më mirë të koordinohemi”, porositi Kurtulumus.