Turqia: Bashkëpunim me Rusinë kundër ISIS-it

12.08.2016 13:47:46

Ministri i Jashtëm turk,  Mevlut Çavushoglu tha sot se Turqia do të rifillojë së shpejti operacionet kundër forcave të Shtetit Islamik dhe se pritet bashkëpunimi me Rusinë kundër grupit ekstremist.

“Edhe para krizës së fundit,  në marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë, Turqia i ka bërë thirrje Rusisë që të bashkëpunojnë kundër grupit ekstremist”, u shpreh Çavushoglu në një intervistë për televizionin NTV, duke shtuar se momentalisht ndodhet në tavolinë një propozim për bashkëpunim në të ardhmen.

“Organizata terroriste është armiku ynë i përbashkët”, theksoi ai.

Rusia po kryen operacione në Siri, por është fokusuar kryesisht në rebelët islamikë që luftojnë kundër presidentit, Bashar al-Assad, i cili është i lidhur ngushtë me Moskën.

Turqia, pas shumë nxitjesh, hapi bazën ajrore Inçirlik, në jug të vendit, në afërsi të kufirit me Sirinë, për koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik dhe paralajmëroi sulme kundër grupit ekstremist , në Siri.