Turqia përsërit kërkesën për ekstradimin e Gulen

14.08.2016 22:16:23

Kryeministri i Turqisë Binali Yilidirim deklaroi se Ankaraja nuk do të bëjë lëshime sa i përket ekstradimit të Fethullah Gulen nga Amerika.

Kryeministri Binali Yildrim përsëriti se vizita e nënpresidentit amerikan nuk do të shërbejë për të hapur diskutime mbi një kompromis për këtë çështje. Përmirësimi i marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara varet nga ekstradimi i Gulenit, dhe në këtë çështje nuk ka vend për negociata, tha zoti Yildrim, sipas CNN Turk. Ankaraja ka bërë tashmë kërkesë për ekstradimin e Fethullah Gulenit, të cilin ajo e akuzon për komplot për të rrëzuar presidentin Rexhep Taip Erdogan gjatë përpjekjes së dështuar për grusht shteti. Shtetet e Bashkuara janë përgjigjur se ato duhet të kenë dëshmi kundër klerikut, në mënyrë që të justifikojnë ekstradimin e tij në Turqi.

Ministri i jashtëm i Turqisë tha se një delegacion i departamentit amerikan të drejtësisë më 23 dhe 24 gusht do të vizitojë Turqinë për të analizuar mënyrën e ekstradimit të Fetullah Gulen. Qeveria e Ankarasë thotë se ka marrë sinjale pozitive lidhur me kërkesën e saj për ekstradimin e klerikut Fetullah Gulen. Në një konferencë për shtyp ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushoglu deklaroi se gjërat po shkojnë ashtu sikurse duhet për dënimin e atyre që sipas tij orkestruan puçin ndaj shtetit më 15 korrik. Sipas shefit të diplomacisë turke, në datën 23 dhe 24 gusht një delegacion nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë do të mbërrijë në Turqi për të mbajtur bisedime lidhur me ekstradimin e Gulen.   Po ashtu, Mevlut Çavushoglu  tha se 32 nga 208 diplomatë të cilët, Turqia po i heton për grushtin e shtetit, mbeten ende në kërkim.

Kryeministri turk ka njoftuar për shkarkimin e 81 mijë e 494 punëtorëve të lidhur me grusht shtetin e dështuar në këtë vend. Ben Ali Yildrim, në lidhje me procesin e dosjes së grusht shtetit të dështuar të 15 korrikut në Turqi, ka thënë: Në këtë dosje, 76 mijë e 597 punëtorë të qeverisë përkohësisht janë shkarkuar nga vendet e punës, ndërsa 4 mijë e 897 në mënyrë të përhershme. Nga ana e tij, Rexhep Taip Erdogan në një intervistë dhënë kanalit RTL të Gjermanisë kat hënë se BE nuk solidarizohet me vendin e tij. Erdogan në këtë intervistë ka thënë: Unë shpresoja që Evropa t’i qëndronte pranë Turqisë. Ne prisnin që ashtu siç dënuam sulmet terroriste në Paris dhe dërguam një përfaqësues për tu solidarizuar me Francën, edhe Evropa të dërgonte një përfaqësues për tu solidarizuar me Turqinë.

Pas grushtit të shtetit qoftë edhe një ministër i jashtëm evropian nuk ka vizituar Turqinë dhe kjo deri diku na ka mërzitur. Ai duke reaguar ndaj kritikave të bëra nga Angela Merkel kancelare e Gjermanisë ka thënë: Sigurisht që kancelarja e Gjermanisë ka shprehur keqardhjen për këtë ngjarje mirëpo ajo ka shprehur mbështetjen për personat që janë dëbuar për shkak të grushtit të shtetit. Merkel ka thënë se dëbimi i njerëzve nga puna duhet të bëhet në atë mënyrë që ligji të mos shkelet. Presidenti turk shprehu keqardhjen për këto fjalë dhe tha mënyra se si Turqia sillet me puçistët, është e drejtë e këtij vendi.