Turqia shënon përvjetorin e dytë të puçit të dështuar

15.07.2018 17:38:43

Turqia po shënon përvjetorin e dytë të puçit të dështuar ushtarak ndaj presidentit dhe Qeverisë, ngjarje në të cilën u vranë 250 persona.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe zyrtarët e lartë shtetërorë kanë marrë pjesë në një ngjarje ku u recitua Kur’ani në Ankara, duke nisur kështu një sërë ngjarjesh, që përfshinë edhe lutje.

Erdogan pritet që t’i adresohet publikut në Ankara dhe Stamboll më vonë gjatë ditës.

Më 15 korrik, 2016, fraksione të ushtrisë përdorën tanke, avionë luftarakë dhe helikopterë, në tentim për të rrëzuar nga pushteti presidentin Erdogan. Në shumë qytete, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë pati përleshje.

Turqia e fajëson klerikun Fethullah Gulen se qëndron prap këtij tentim grushtshteti. Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje.

Që nga 15 korriku i vitit 2016, autoritetet turke kanë arrestuar dhjetëra mijëra persona, përfshirë shërbyes civilë, gazetarë dhe mësues, duke i akuzuar ata se janë mbështetës të Gylenit.

Dhjetëra mijëra persona të tjerë janë përjashtuar apo pezulluar nga puna, për po të njëjtën akuzë.