Turqia shkarkon Lucescun, pritet rikthimi i Senol Gunes!

11.02.2019 18:04:24

Mircea Lucescu nuk do të jetë në stolin e Turqisë në sfidën e parë të kualifikueseve të Euro 2020 ndaj Shqipërisë, 22 marsin e ardhshëm në Shkodër. Federata Turke e Futbollit këtë të hënë ka marrë vendimin e papritur për të shkarkuar nga detyra 73-vjeçarin rumun i cili ishte në stolin e Turqisë që nga viti 2017 por gjatë kësaj periudhe ka regjistruar rezultate zhgënjyese teksa numëron vetëm 4 fitore në 17 ndeshje dhe plot 7 humbje, një prej tyre pikërisht në një miqësore ndaj Shqipërisë së Panuccit në Antalya me shifrat 2-3.

Ka qenë vetë Federata Turke ajo që ka bërë publik lajmin për shkarkimin e Lucescut, me ish trajnerin e Interit por edhe Galatasaray-it, Besiktasit, Shakthar Donetsk dhe Zenitit që me shumë gjasa do t’i lërë vendin trajnerit të mirënjohur turk Senol Gunes.

Megjithatë pengesë për kalimin 66-vjeçarit te Turqia po bëhet klubi i Besiktasit me të cilin Gunes është në kontratë dhe drejtuesit e klubit nga Stambolli nuk duan të lejojnë largimin e tij përpara fundit të këtij sezoni.

Për Gunes do të bëhej fjalë për një rikthim te Turqia pasi e ka drejtuar kombëtaren nga viti 2000 deri në 2004-ën, duke regjistruar dhe një vend të tretë historik në Botërorin e vitit 2002 që u zhvillua në Korenë e Jugut dhe Japoni.

Pas Kupës së Botës ai kishte oferta edhe nga përfaqësuese të mëdha si Brazili, Spanja dhe Greqia por ai i refuzoi për të qëndruar te Turqia, megjithatë mos arritja e kualifikimit për në Euro 2004 që u zhvillua në Portugali, bëri që Gunes të shkarkohej nga stoli i Turqisë.

Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e Federatës Turke të Futbollit do të arrinë marrëveshjen me presidencën e Besiktasit qoftë edhe që deri në fund të këtij sezoni, Gunes të trajnojë njëkohësisht kombëtaren dhe bardhezinjtë nga Stambolli me të cilët ka fituar 2 tituj kampion.

Situata gjithsesi te Turqia nuk është shumë e mirë dhe ky është një sinjal pozitiv për kuqezinjtë e Panuccit të cilët duhet të tentojnë të marrin maksimumin e pikëve në sfidën e 22 marsit në Shkodër.