Turqia thotë se ka vënë kontroll të plotë në Afrin

24.03.2018 12:10:10
Shtatmadhoria turke bëri të ditur se rajoni sirian i Afrinit është vënë tërësisht nën kontroll të ushtrisë së Turqisë, ndërkohë që vazhdojnë aktivitetet për t’u mundësuar banorëve të zonës kthimin e sigurt nëpër shtëpitë e tyre.

Siç bëhet e ditur, ndërkohë është duke vazhduar operacioni ”Dega e Ullirit”, të cilin Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (FSA) e nisën më 20 janar me qëllim të vendosjes së sigurisë përgjatë kufirit turko-sirian, dhe neutralizimit të terroristëve në Afrin.

Operacioni në Afrin, u nis në përputhje më të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara, me theks mbi ato që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit, 1624 (2005.), 2170 (2014.) dhe 2178 (2014.), ndërkohë që është duke u kryer me respektim të plotë të integritetit territorial të Sirisë, transmeton Anadolu Agency.

Shtatmadhoria turke porositi se rajoni i Afrinit tashmë është tërësisht nën kontroll, për çka në vazhdim e sipër po krijohen kushte për kthimin e banorëve.

Pjesëtarët e ushtrisë aktualisht janë të përfshirë në aktivitetet për pastrimin e rajonit nga mjetet shpërthyese, të cilat i kanë lënë terroristët gjatë ikjes nga Afrini.