Turqia “zbutet” ndaj Assadit

20.08.2016 19:53:53

Kryeministri turk, Binali Yildirim, ka deklaruar se mund të ulet në bisedime me presidentin sirian Bashar al Assad, por shtoi se kushti i vetëm për një tranzicion politik në Siri është largimi i tij nga pushteti.

Edhe pse qysh në fillet e konfliktit në Siri, në vitin 2011, Turqia kishte për qëllim kryesor rrëzimin e presidentit Assad, kryeministri turk sot deklaroi se të gjitha palët politike siriane duhet të ulen së bashku për të gjetur një zgjidhje.

Por, shton se Ankaraja nuk mund të lejojë që Assadi të qëndrojë për një periudhë afatgjatë në pushtet.

“A mund të mbajë Siria Assadin për një periudhë afatgjatë? Absolutisht jo “, tha kryeministri turk.