U bënë veteranë ata që luftën e panë vetëm në TV, ndërsa u injoruan të tjerë për inate politike!

24.01.2017 12:00:14

Edhe një herë për keqpërdorimet-keqpërdoruesit e listave të veteranëve të UÇK-së

U bënë veteranë ata që luftën e panë vetëm në TV, ndërsa u injoruan të tjerë për inate politike!

Është marre që matrapazët pa kontribut, profiterat, njerëz të shëndoshë si molla, pa bërë asnjë ditë luftë të barazohen me trimat që për lirinë që e gëzojmë sot lanë gjymtyrët në vijen e frontit?! Mjaft telashe, do të shkaktojë edhe kategorizimi i veteranëve në tre kategori, sipas ligjit me ndryshime të miratuar në fund të vitit 2016, për të mos thënë do ta shtojë numrin e veteranëve. Me këso ndryshime, shtohet kostoja e pensioneve, për faktin se me këtë ndryshim ligj, do të kompensohen 50 për qind, edhe veteranët e punësuar. E këtë të drejtë, vallë kush mund t’ua kontestojë autoriteteve të larta në vend, në të gjitha institucionet, edhe presidentit, edhe kryekuvendarit, ministarve, deputetëve, kryetarëve të komunave, si dhe shumë e shumë kuadrove në Borde, Agjensi, Kompani…!

Jusuf BYTYÇI

Prishtinë, 24 janar

Tashmë shumica e ish-luftëtarëve të UÇK-së, edhe qytetarët, janë të bindur se 17 vjet pas kësaj lufte për Liri e Pavarësi, janë bërë dhe po bëhen edhe më keqpërdorime, abuzime me buxhetin e shtetit, me paratë e taksapaguesve, janë bërë dhe po bëhen shkelje të të drejtave të njerëzve të sferave e kategorive të ndryshme. Janë bërë dhe po bëhen edhe mëkate ndaj atyre që në fakt kontribuan pa hezitim me gjithë mundësitë, luftuan dhe sakrifikuan. Muaj më parë, në vazhdën e debateve pro dhe kundër listave të verifikuara të atyre që ishin pjesë e luftës për Liri në Kosovë, pata shkruar se fajtorë janë pikërisht komandantët e papërgjegjshëm, llaskucët, matrapazët e pangopur. Kjo kategori janë fajtorët dhe denigruesit më të mëdhenj të luftës së UÇK-së dhe vlerave të saja!

Tashmë u bënë bajate edhe deklarimet e vëtëlavdërimet në debate TV-ve dhe në dokumentarë të disa ish-krerëve të vetëquajtur të luftës nga “shpati”, nga perëndimi, se “ishin ata që në vitin…vitet…themeluan celulat e para të UÇK-së”. Ish-kryeministri Hashim Thaçi, tash president i vendit, shpesh herë thoshte se “në luftë për liri ishin që të gjithë shqiptarët, se që të gjithë kontribuuan për këtë liri e shtet.

E tek 17 vjet pas luftës, veteranët filluan të përfitojnë pensione nga një ligj, i paqartë edhe për qeverinë dhe qeveritarë, që së fundi pësoi ndryshime.

U fryen listat, u shtua numri i veteranëve, thanë qeveritarët. Për këtë çështje, shumëkush ka akuzuar direkt Komisionin qeveritar për verifikimin e listave të të gjitha kategorive, veteranëve-luftëtarë, invalidëve të luftës, dëshmorëve, pjesëtarëve, pjesëmarrësve etj. Deputetë nga opozita aktuale, akuzuan edhe me emra, edhe Komisionin qeveritar, në krye me gjeneralin Agim Çeku, ish-komandant, ish-kryeministër, ish-ministër i FSK-së, aktualisht deputet i PDK-së. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, pati deklaruar se “kurrë nuk ka pasur më shumë se 20 mijë veteranë. Selimi madje ka thënë jo njëherë, se ka “pasur politizim të procesit të verifikimit”. Duke vlerësuar edhe të metat e ligjit që tashmë pësoi ndryshime, Rexhepi ka spikatur se “nuk ka pasur përcaktim të kritereve adekuate brenda këtij ligji”.

Në procesin e verifikimit, ka korrupsion, ka pasur raste kur certifikatat janë ndarë bashkë me librezat e partisë, edhe në fushata zgjedhore, ka akuzuar deputeti Selimi, njëri nga ish eprorët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Çështja e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, u riakualizua muaj më parë kur kryeministri i vendit, z. Isa Mustafa, pati deklarar një krizë financiare, sa i përket sigurimit të mjeteve të nevojshme për pensionet e veteranëve, numri i të cilëve në fakt ishte fryer nga ish-komandantët.
Keqpërdorime me listat, fryerje të listave kanë rezultuar si rezultat i “jaranisë, lidhjeve të ndryshmet farefisnore, miqësore, politike”, të ish-komandantëve të Zonave Operative apo të Brigadave nga të gjitha Zonat e Luftës, por ka dallime sidomos në Dukagjin, Drenicë etj? Kjo tashmë po thuhet edhe publikisht në debatet televizive mjaft konfontuese ballë për ballë.

Nëse ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm kanë vendosur që statusin e veteranit t’ua japin edhe atyre që kurrë gjatë luftës nuk kanë shkelur në Kosovë, dofarë “veprimtarësh” që para mund të kenë mbledhur e përfituar personalisht goxha shumë në shtete të ndryshme, apo ta zëmë ish- shefin e SHISH-it në Shqipëri, F. Klosin e bashkëmendimtarët e tij, atëherë, pse nuk po u dashka të shpallen veteranë ata që jo vetëm se ishin në Kosovë gjatë gjithë kohës së luftës, por ata ishin edhe pjesë e pandalshme e logjistikës së UÇK-së, dhe ish ushtarëve u siguruan kushte, u siguruan armë, strehë e bukë në shtëpitë e tyre, barëra në rast të plagosjeve dhe nevoja të tjera, pa të cilat përballja me forcat e armikut ka qenë e pamundur!

Keqpërdorimet e tilla kanë shkaktuar pakënaqësitë e ish-luftëtarëve të UÇK-së nga Brigada e Zona të ndryshme

Komisioni, i formuar që në vitin 2013, edhe komisionet më të vogla, u dëshmua se nuk punuan aq me përgjegjësi, ata punuan me hile e duke favorizuar njerëzit që në luftë kurrë nuk kanë qenë, por që kanë dhënë goxha para për ta fituar statusin e veteranit. Komisioni-et, u kanë hyrë në hak ish-luftëtarëve e pjesëtarëve të devotshëm të luftës, ndërsa kanë favorizuar për interesa të ngushta familjarët, njerëzit e afërt- farefisnor, miq, ata që kanë bindje të detyrueshme politike.

E, përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë thënë dhe e thonë se veteran i UÇK-së, është bërë e mund të bëhet ende, kushdo që i ka 2-3 mijë euro! Kështu nuk mbrohet lufta e shenjtë të UÇK-së, as vlerat e daj! E keqpërdorimet e tilla kanë shkaktuar pakënaqësitë e ish-luftëtarëve të UÇK-së nga Brigada e Zona të ndryshme.

Se u mënjanuan qëllimshëm, me tendencë apo si pasojë e inateve të ndryshme, dëshmojnë edhe rastet e mbetura pa këtë status deri më tash edhe të ish-luftëtarëve nga komuna e Malishevës.

Avni Kastrati, nga Damaneku i Malishevës, 38 vjeç, baba i 2 fëmijëve, një vajze 5 vjeç e një djali 3 vjeç, pos me gruan, jeton edhe me dy prindërit, të moshuar, në kushte të rënda në një shtëpi të ndërtuar vetëm falë humanizmit të një shoku të tij të luftës, Adil Thaçit, nga Mirusha, pronar i Kompanisë ndërtimore “Albioni”. Avniu, që sipas shokëve të tij më të ngushtë është plagosur në Damanek, si dhe më pas ka marrë pjesë edhe në dy luftërat çlirimtare, në UÇPMB e UÇ Kombëtare, deri më tash nuk ka gëzuar statusin e invalidit, apo të veteranit. Ai është ballafaquar me kushte të rënda jetese. Derisa është bërë prind, si i papunë, ai s’ka gëzuar asnjë të drejtë. E tash, është shfrytëzues i ndihmës sociale modeste, por që nuk arrinë t’i plotësojë nevojat e familjes 6 anëtarëshe. Për dallim, shumë ish-shokë të tij të luftës, janë pasuruar e madje janë bërë edhe pjesë e “Shtabit të milionerëve”, thonë të zhgënjyer disa shokë që së paku ia qajnë hallin Avniut.

Në një bisedë të rastit, shokët e tij, që pinë kafe në Malishevë, përmendin disa nga invalidët e luftës së UÇK-së, si Feim Krasniqin, Malishevë, Xhafer Mazrekun, Deçan, Naim Alajn, Mitrovicë, Enver Krasniqin, Podujevë(shih foton)! “Këta burra dhanë gjithëçka që patën për lirinë që e gëzojmë ne sot”, ndërsa dilerë e matrapazë të shumtë, pa qenë kurrë në luftë, kanë përfituar dhe përfitojnë në dëm të buxhetit modest për këtë kategori, janë shprehur të revoltuar disa veteranë e invalidë me plagë të dëshmuara trupore, me proteza në vend të këmbëve, që nga mjekët, u janë këputur në luftë, në përpjekje për t’ua shpëtuar jetën.

Është marre që matrapazët pa kontribut, profiterat, njerëz të shëndoshë si molla, pa bërë asnjë ditë luftë të barazohen me trimat që për lirinë që e gëzojmë sot lanë gjymtyrët në vijen e frontit?!

Bashkëbiseduesit tanë, kanë përmendur edhe emra të ish-luftëtarëve, madje edhe të ndonjë eprori, tek sa shihen në ndeja dhe kanë marrë poza-foto, edhe selfie, me njerëz që kurrë në luftë s’kanë qenë, por që për habi, kanë marrë certifikatat e veteranit, si Bajram Hotin, mërgimtarin, njeriun e përfolur shumë edhe për shkyerjen e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova në holin e Kuvendit të Republikës së Kosovës!

Bajram Hoti, ka siguruar certifikatën e veteranit luftëtar, ndonëse luftën e kishte parë vetëm në mjetet e informimit të Gjermanisë RTL ZDF ARD SAT1, ku ka punuar. Ai kurrë nuk ka qenë luftëtar, ai mund të ketë qenë i inkuadruar në Gjermani ne vitet 98/99 në fondin “Vendlindja Thërret”! “Ndoshta e kemi gabim, por ne nuk kemi dëgjuar kurrë në jetën tone, që një AZILANT të bëhet VETERAN !!!! Pse vallë njerëz si ky, që i kanë kushtet super luksoze ( rrnoftë fondi “Vendlindja thërret”) janë të mvaruar nga një pension veterani në Kosovë, kur dihen kushtet e rënda të kësaj kategorie, pyesin disa veteranë dhe invalidë të luftës çlirimtare në Malishevë?!

E pra, për denigrimin e luftës së UÇK-së dhe vlerat e saj fajtorë janë pikërisht komandantët e papërgjegjshëm! Për ta ndihmuar dhe pastruar këtë luftë dhe ish-luftëtarët e UÇK-së, më së miri është përballja me fakte, me angazhime të mirëfillta pa inate, hile dhe tendenca përjashtuese politike. Verifikimin e deritashëm, “lista e saktë kurrë nuk u publikua”, e kanë mundësuar pikërisht komandantët e papëgjegjshëm!

Mjaft telashe do të shkaktojë edhe kategorizimi i veteranëve në tre kategori!

Le të hulumtohen e ndëshkohen mashtruesit, edhe ata me super paga e paga të disa fishta. Në interes të korrigjimeve meritore, pastrimit të listave, verifikimit të saktë, edhe pse goxha vonë(pasi tashmë e më tepër se një vit po kompensohen edhe ata që s’ishin fare në luftë), do të duhej angazhuar seriozisht një Komision gjithëpërfshirës me kompetencë. Personalisht nuk besoj se këtë problem do ta zgjidhë as ndryshimi i ligjit mjaft të diskutueshëm, i sapo miratuar me nguti e injorim nga një pjesë e madhe e deputetëve, jo vetëm nga ata në opozitë!

Konsideroj se mjaft telashe, do të shkaktojë edhe kategorizimi i veteranëve në tre kategori, për të mos thënë do ta shtojë numrin e veteranëve. Jam i bindur se kategoria e parë, më duket goxha absurde (së paku ushtarë-luftëtarë me uniforma nuk kishte më 1991)! Edhe në këtë rast, do të pretendojnë të përfitojnë pensione më të mira ish-LPK-istat e ilegeles që kryesisht vepruan jashtë Kosovës, e më pak aktivistët e hershëm të Degëve të LDK-së e të ndonjë subjekti minor shqiptar të viteve 90-ta, si pjesë e Komisioneve-Shtabeve Komunale të Mbrojtjes e Vetëmbrojtjes, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Me këso ndryshime, pavarësisht si ka llogaritur kryeministria, Qeveria, MPMS etj, do të shtohet numri i veteranëve, do të shtohet edhe kostoja e pensioneve, sidomos për faktin se me këtë ndryshim ligj, do të kompensohen 50 për qind, edhe veteranët e punësuar. E këtë të drejtë, vallë kush mund t’ua kontestojë autoriteteve të larta në vend, në të gjitha institucionet, edhe presidentit, edhe kryekuvendarit, ministarve, deputetëve, kryetarëve të komunave, si dhe shumë e shumë kuadrove në Borde, Agjensi, Kompani…! Shumë sish, madje janë kompensuar dhe kompensohen edhe tash si invalidë të luftës, pavarësisht se kanë pozita të larta në vend, janë deputetë, drejtorë drejtorishë në Komuna…Kategoria e milionerëve, do edhe zhvatjen e buxhetit modest të kategorive sociale. Ata po përfitojnë edhe beneficione nga shteti.

Prandaj, mbetet detyrë e mekanizmave të fortë të shtetit që të pastrojë listat e fryera të veteranëve, apo invalidëve, por edhe të ndalë shkallën e lartë të keqpërdorimeve tjera, të keq menaxhimit të parasë publike, të ndalë shkallën e lartë të korrupsionit, të zhvatjes së buxhetit shtetëror përmes tenderëve, mëditjeve dhe pagesave shtesë të udhëtimeve në ditët e punës e gjatë orarit të punës! Ndryshe, nuk luftohet korrupsioni dhe as krimi ekonomik!

Legjenda: Avni Kastrati, nga Damaneku, ish-luftëtar i të tre luftërave çlirimtare

Shtëpia-dhuratë, fëmijët