U mbajt mbledhja e Bordit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit

04.11.2016 14:27:13

Në takimin e radhës të Bordit Ekzekutiv për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të cilin e kryesoi zëvendësministri Valdet Hoxha, i cili është edhe kryesues i këtij Bordi, është diskutuar për implementimin e konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit. Po ashtu, z. Hoxha ka kërkuar që të rritet performanca e Qendrës për Menaxhimin e Kufirit.

“Sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme e mbajtëm takimin e radhës të Bordit Ekzekutiv për Menaxhimit e Integruar të Kufirit.

Si kryesues i këtij bordi dhe në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK), i falënderova anëtarët e Bordit Ekzekutiv për angazhimin e tyre në zbatimin e aktiviteteve që rrjedhin nga Strategjia dhe Plani i veprimit për MIK.

Gjatë këtij takimi konstatova progresin që është bërë në implementimin e konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe po ashtu kërkova nga të gjitha autoritetet e MIK-ut, siç janë Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, që përmes një angazhimi të përbashkët të lehtësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, si një element kyç që bazohet BE-ja, e që ka të bëjë me sistemin efektiv të kontrollit dhe menaxhimit kufitar.

Po ashtu kërkova nga autoritetet e MIK-ut që të vazhdojë ngritja e performances në Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit (QKMK) dhe në këtë kontekst u dakorduan, që të funksionojë grupin punues për analizimin e gjendjes në QKMK dhe daljen me rekomandime specifike në drejtim të implementimit të planit zhvillimor të qendrës.