U nda nga jeta albanologu i njohur austriak Hermann Ölberg

04.03.2017 00:10:08

Ai hyri në këtë rrugë menjëherë pasi mbaroi studimet universitare, duke ia kushtuar studimet pasuniversitare dhe specializimin e tij gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Prof. dr. Hermann Ölberg ndoqi udhën e hapur prej gjuhëtarësh të mëdhenj austriakë që zgjodhën albanologjinë si fushë studimi, si Norbert Jokli, të cilit në vitin 1972, në 50-vjetorin e viktimizimit nazist, i kushtoi një konferencë shkencore-universitare ndërkombëtare, aktet e së cilës janë sot një urë për të depërtuar në thellësi të kontributeve të këtij personaliteti parësor të studimit të shqipes.

I ndjeri Hermann Ölberg ka botuar shumë artikuj shkencorë për gjuhën shqipe dhe ka marrë pjesë në mjaft konferenca shkencore për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ai ka pritur në aulat e universitetit ku punoi pedagogë e studentë nga universitetet shqiptare. Prof. dr. Hermann Ölberg, që nga viti 2005 mban titullin e nderit ”Doctor honoris causa “ i Universitetit të Tiranës.

Prof. dr. Hermann Ölberg bëri jetën e një njeriu të thjeshtë dhe të ndershëm. Ai qe një studiues, pedagog e mik i nderuar prej gjithkujt që pati fatin ta njohë nga afër ose nëpërmjet prurjeve të tij shkencore.

“Me vdekjen e prof. dr. Hermann Ölberg dijet shqiptare në Austri, gjuha shqipe dhe kultura jonë kombëtare, humbën një studiues të rendit të parë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë një mik të çmuar.

Akademia e Shkencave ndan ngushëllimet e veta me bashkësinë e studiuesve albanologë në Austri, në Shqipëri e jashtë vendit”, thuhet në deklaratën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.