U shërua nga koronavirusi, mjeku italian: Dua të kthehem urgjent në punë!

16.03.2020 17:27:54

Në zërin e tij nuk ka ndjenjë lehtësimi, por një sens i madh përgjegjësie që do ta bëjë të rikthehet në vendin e tij të punës, në spitalin e Alzano Lombardo pas 15 ditësh karantine dhe dy tamponësh, tashmë që të dy negativë.

Mjeku 57 vjeçar, R.I., është shëruar nga koronavirusi, por kërkon që të kthehet sa më parë në krye të detyrës. “ Mua më shkoi mirë; temperaturën nuk e pata më të lartë se 37. Por dua të shkoj menjëherë në spital sepse janë disa mjekë të tjerë në karantinë, dhe aty ka shumë nevojë për mua”, shprehet ai.

I pyetur nëse izolimi është rruga e drejtë për t`u ndjekur, përgjigjet: “Po, sepse ky virus ka një aftësi përhapjeje e cila nuk është parë kurrë më parë”. Karantinën në shtëpi rrëfen se e kaloi mes kuzhinës, librave dhe kurseve online.

Alzano Lombardo ishte një prej vatrave të para në shpërthimit të virusit në Bergamo. Kriza atje nisi diku nga 22 apo 23 shkurti, e pak ditë më vonë, mjeku zbuloi se ishte dhe vetë pozitiv. “ Të gjithë pacientëve, të rinj e të vjetër, u them të njëjtën gjë: do të bëjmë maksimumin tonë për t`ju shëruar”, shprehet R.I.