Udhëheqësit gënjeshtarë, të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, të pë pafytyrë e të pamoralshëm!

30.03.2018 16:28:24

 Situata e tillë, pos që është një turp e skandal institucional, krijon edhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës.

Jusuf Bytyçi

Prishtinë, 30 mars

Tashmë, gjithnjë e më tepër po bindemi si qytetarë se jemi vendi më i pasigurtë, jemi gjithnjë në ankth se çfarë mund të na ndodhë sot, nesër, pasnesër…! Kidnapimi i djeshëm i gjashtë shtetasve turqë, me lejeqëndrim goxha të gjatë në Kosovë, fatkeqësisht më kthen më tepër se 20 vjet prapa, në kohën e ish-okupimit të Kosovës nga Serbia. Atëherë, ne si shqiptarë, ndonëse popull shumicë në Kosovë, nuk kishim kurrfarë sigurie, mund të arrestoheshim, kidnapoheshim, në çdo kohë, mund të torturoheshim dhe pësonim, pa e ditur fare familja! Më kujtohen qindra shqiptarë, ish-veprimtarë të ilegales, ish-demonstrues të protestave e demonstratave më të fuqishme kundër shtypjes nga aparati represiv i Serbo-sllavisë së atëhershme. Shumë shqiptarë, të arrestuar me pretekste të ndryshme, “veprimtari armiqësore” kundër sistemit, respektivisht veprimtarisë kundër regjimit të ish-Jugosllavisë, edhe në vitet 90-ta, në prag të luftës për çlirimin e Kosovës, ndonjëri tash është deputet në Kuvendin e Kosovës, thjeshtë ishin kidnapuar, torturuar dhe dërguar në vende të panjohura për familjarët dhe avokatët e tyre. Ishte goxha e zorshme, sidomos për familjarët e viktimave, por edhe për qytetarët që do të mund të shprehnin solidaritetit me ata dhe familjet e tyre në rrethana tepër të rënda të okupimit. Dhe kur mendonim se ato vite janë vetëm pjesë e së kaluarës, e historisë, në Republikën e Kosovës, dhjetë vjet pas rishpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, afër 19 vjet nga çlirimi i Kosovës, respektivisht dëbimi i forcave të ish-okupatorit serb, pa ndonjë paralajmërim, ndodhi arrestimi, në formë të kidnapimit i gjashtë shtetasve turq, kryesisht mësimdhënës në kolegjin “Mehmet Akif” në disa qytete të Kosovës. Rasti është zhvilluar nga policia e Kosovës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë, (AKI), është thënë gjatë ditës së enjte në mediet elektronike. Pamjet, janë tepër të rënda, pasi policia ka prangosur shtetasit turq, në sy të fëmjëve e grave të tyre. Këto arrestime, të paktën nga pamjet dhe njoftimet ne medie, po dihet se i ka realizuar policia e Republikës së Kosovës, por ende nuk po shpjegohet i kujt saktë ishte urdhëri. Urdhrin për arrestimin-kidnapimin e gjashtë mësimdhënsve turq, nuk po e pranojnë asnjëri nga tre liderët më të lartë shtetëror të Kosovës, as presidenti H. Thaçi, as kryekuvendari K. Veseli dhe as kryeministri R. Haradinaj. Përderisa kryekuvendari Veseli, në fakt nuk ka absolutisht përgjegjësi në këtë rast, presidenti dhe kryeministri, nuk mund të amnistohen asesi nga përgjegjësia. Pa lejen e kryeminstrit, absolutisht nuk do të guxonte të vepronte kurrë Ministri i Brendshëm, si vartës i tij, sikurse që as kreu i AKI-së, Driton Q. Gashi, djali i hasretit i ish-komunistit e komitetliut Qerim Gashi, nuk do të guxonte të jepte kurrë urdhër për veprime, pa e njoftuar paraprakisht të parin e shtetit, i cili edhe e ka dekretuar emrimin e tij. Fatkeqësisht, arrestimin, thjeshtë kidnapimet në shtetin tonë, u realizuan në bashkëveprim me kidnapuesit e maskuar të Turqisë. Dhe për më keq, askush deri më sot, nuk tregon përgjegjësi. “Unë nuk kam dijeni për rastin, unë dëgjova nga mediet, unë dëgjova nga familjarët, nga fëmijët…”.janë përgjigjet e tre iderëve kryesorë të vendit tonë! Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në një postim në rrjetin social facebook, ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me, siç ka thënë, dështimin e mbrojtjes së parimeve thememore “të të drejtave njerëzore për shtetasit e huaj, që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë”. “Unë jam i informuar nga organet kompetente pas ngjarjes se gjashtë shtetas janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë, ka thënë kreu i shtetit. Rreth arrestimit të 6 shtetasve turq, nuk e kam pasur asnjë informatë, bile për rastin jam njoftuar vetëm nga familjarët e të arrestuarve, ka thënë kryetari Kuvendit të Kosoëvs, Kadri Veseli. Megjithatë, ai nuk e shfajësoi as veten, por kërkoi përgjegjësi edhe nga presidentit Hashim Thaçi dhe nga kryeministri Ramush Haradinaj. “Kemi bërë gabim të madh, duke depërtuar njerëz që nuk dimë se si do të trajtohen. “Kosova dhe Turqia janë shtete mike, por veprime të tilla nuk i ndihmojnë partneritetit mes dy vendeve”, ka vlerësuar kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. “Imagjinoni nëse ata dalin të pafajshëm, ku do të mbetet shteti i Kosovës”, ka thënë K. Veseli. Duke u kërkuar falje familjarëve për mënyrën se si janë trajtuar të arrestuarit turq, kryekuvendari Veseli është shprehur se përgjegjësia nuk do të përfundojë me dy shkarkime! “Për arrestimin e më pas dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, jam informuar nga mediat dhe palët tjera të treat”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, duket paksa paradoksale se si krerët e shtetit po thonë se nuk kanë qenë në dijeni për arrestimin e më pas dëbimin e gjashtë shtetasve turq.. Ata në vendlindje konsiderohen si terroristë, pasi janë përkrahës të Fetullah Gulenit, kundërshtarit të Presidentit Erdogan, ka tërhequr vërejtjen profesori Kujtim Shala, që është edhe nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. “Nëse nuk e dinë ata që duhet, kush e din? Nëse nuk vendosin ata që duhet, atëherë kush vendos në Kosovë”, ka thënë Shala të premten nga foltorja e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli, duke u përpjekur që të heq përgjegjësinë nga vetja dhe nga njeriu që ai e ka sjellë në qeveri si ministër i brendshëm, ka thënë mbrëmë në TVDukagjini, se urdhrin për arrestimin e tyre e ka dhënë shefi i AKI-së, Driton Gashi. Ai e ka lavdëdëruar ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, tashmë të shkarkuar nga kreu i Qeverssë së vendit se “e kishte mbajtur të fshehur informatën për arrestimin e tyre”. Ndonjëri nga reaguesit e së premtes, ka thënë se “siç po shihet këta shtetas turq kanë qenë kurban i kërkesave të Serbisë që të shkarkohet ministri i MPB-së Flamur Sefaj dhe drejtori i AKI-së, Driton Gashi, për shkak të arrestimit të Gjuriqit, disa ditë më parë në Mitrovicë, kur pati hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës. Me këso dhe deklarata tjera, duket fare e qartë se udhëheqësit e shtetit kanë gënjyer dhe po vazhdojnë të gënjejnë edhe më. Situata e tillë, pos që është një turp e skandal institucional, krijon edhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës. Konsideroj se sot, qytetarët e Kosovës, janë tepër të pashpresë, të shqetësuar, të zhgënjyer me lidershipin aktual të Kosovës, me përfaqësimin e shtetit nga të tillë njerëz tepër të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, të pafytyrë, rrenacakë, edhe të pamoralshëm! Kategoria e këtyre njerëzve, duket qartë se të vetmin shqetësim e kanë pushtetin, kanë qëllimin e përfitimeve nga krizat, që këta shkaktojnë, nga situatat e tilla që ua shtyejnë pushtetin. Por, tani më nuk ka dilema, këtyre më nuk do t’u besojë kush, këta janë gënjeshtarë, këta po na bëjnë për çdo ditë e më tepër të ndjehemi të turpëruar para të tjerëve.