Ujëvara e ngrirë e Mirushës e xhiruar nga droni është një mrekulli madhështore e natyrës që nuk duhet humbur (Foto/Video)

13.01.2017 21:13:44

Dimri erdhi, dhe sa herë që vjen kjo stinë, të gjithë ne mahnitemi se sa shpejtë dhe shumë ndryshon pamja e një vendi.

Shembulli më i mirë për këtë janë ujëvarat, ato i njohim si plotë jetë, të rrëmbyeshme dhe të zhurmshme, por kur dimri vjen ato ngrihen dhe gjithçka duket ndryshe.

“Ujëvarat e Mirushës” është Monument i Natyrës me rëndësi të veçantë.

Pak ditë më parë, Ujëvara e Mirushës, e cila ndodhet në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës, u bë lajm jo vetëm në mediat vendore, por edhe ato të huaja si AFP dhe CTV News, e gjitha kjo pasi ajo është ngrirë dhe ky është një fenomen që ndodh rrallë dhe në dimër nuk ka asgjë më të bukur se një ujëvarë e ngrirë, transmeton Telegrafi.

Ujëvarave të Mirushës Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë ka sipërfaqe te përgjithshme prej 598.4 hektar

Në këtë stinë e bukura shfaqet në ngjyrë të bardhë, por për të arritur te kjo bukuri nuk është aspak e lehtë. Duhet të luftosh me të ftohtin, me ngricat, me temperaturat gjithmonë në zbritje, me ditët e shkurta, rrugë të rrëshqitshme, por kjo nuk i ndalon njerëzit si Arton Krasniqi të eksplorojnë bukurit e Kosovës dhe më pas ato t’i shfaq për publikut pa një çmim, pasi jo të gjithë kanë mundësi ta shikojmë këtë bukuri natyrore.

Ujëvara e Mirushes e ngrirë.

Nisur nga kjo, ujëvarat janë frymëzim për Artonin, i cili me dron na mundësoi ta shikojmë madhështinë e kësaj bukurie natyrore nga disa perspektiva të ndryshme të cilat duken thjeshtë mahnitëse.

Zakonisht jemi mësuar të shikojmë ujëvara teksa rrjedhin dhe normalisht që ato duken bukur, por jo shpesh herë kemi pasur mundësi të shikojmë një të ngrirë. Kur kjo ndodh, atëherë uji i ngrirë nxjerrë forma akujsh të pazakonta, por të mrekullueshme dhe spektakolare.

Të ftohtit që mbretëroi në Kosovë në këtë fillim janari nuk i rezistoi as Ujëvara e Mirushës.

Zakonisht jeta e një ujëvare të ngrirë është e shkurtë dhe është një ngjarje e rrallë dhe nisur nga kjo ajo bëhet destinacioni i shumë njerëzve, posaçërisht i fotografëve. Edhe pse Ujëvara e Mirushës nuk ka përmasa të mëdha, ajo është një nga vendet më magjike në vendin tonë.

Një qytetar duke shijuar format e mrekullueshme të akullit.

Pasi Ujëvarat e Mirushës është park që paraqet një fenomen të rrallë natyror me rëndësi të veçanet natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Sipas IUCN, zona i përket kategorisë ”Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”.

Kanioni i Mirushës është një ndër zonat më interesante të natyrës së Kosovës.

Në këtë park, lumi Mirusha në pjesën e fundit të rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha dhe këtu ai krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo‐ hidrologjik dhe peizazh shumë të bukur e atraktiv për vizitorë.

Edhe e ngrirë, Ujëvara e Mirushës është atraksion për vizitorët

Me këtë rast ajo ka bukurinë e saj edhe në stinën e verës, e cila është po aq madhështore sa ajo në dimër dhe ju ftojmë që më poshtë të kënaqeni sytë me këtë mrekulli natyrore të xhiruar gjatë verës. /Telegrafi/

Panoramë mahnitëse e Ujëvarës së Mirushës: