Ukë Bytyçi përfaqësues dinjitoz i vlerave të vërteta të paqes dhe të luftës për liri

Nga Rexhep Kastrati

Derisa Kuvendi i Kosovës po diskutonte për vlerat e luftës, por në fakt për vërtetimin e dëmimit të grupit “Drenica 2”, në Suharekë po kujtohet një nga personalitetet e rëndësishme politike, ushtarake dhe institucionale, Ukë Bytyçi në 14 vjetorin e vrasjes.

Ukë Bytyçi, ka qenë bartës i procesit liri, pavarësi e demokraci në rajonin e Suharekës dhe më gjerë, luftëtar dhe një nga komandantët që kanë organizuar luftën çlirimtare, kurse pas luftës është kthyer në krye të degës së LDK-së në Suharekë dhe me votë të zgjedhësve ka udhëhequr procesin e ndërtomit të institucioneve komunale në Suharekë.

Ukë Bytyçi ka qenë personalitet që ka reflektuar pozitivitet, ka reflektuar vendosmëri dhe përkushtim për të realizuar aspiratat e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci duke fituar respektin e popullit. Dhe ky respekt, e ka frymëzuar që të bëjë edhe më shumë dhe të mos ndalet derisa dora kriminale do ta vrasë.

Vrasja e Ukë Bytyçit ishte vrasje e rëndë, vrasje e një njeriu të mirë dhe që kishte një vullnet dhe vendosmëri të pamposhtshme. Dhe edhe momenti i vrasjes ishte moment që erdhi nga pamundësia për ta mposhtur me votë dhe me forma të tjera.

Ukë Bytyçi është një ndër përfaqësuesit më të denjë të vlerave shoqërore, kombëtare dhe njerëzore. Është një ndër përfaqësuesit më të denjë të vlerave të paqes dhe të luftës.