Ultimatumi i Ramës, dorëhiqen shumica e drejtorëve të spitaleve

03.08.2017 17:21:43

Pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama, shumica e drejtorëve në spitale kanë dhënë dorëheqjen. Mësohet se dorëheqjet i janë dorëzuar zëvendësministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Më 31 korrik, Rama u kërkoi drejtorëve të spitaleve rajonale dhe bashkiake që të dorëhiqen. Ai përjashtoi nga kërkesa vetëm drejtorët e tre spitaleve në Tiranë, të QSUT-së, Spitalit “Shefqet Ndroqi” si dhe Spitalit të Traumës, për të cilët tha: “nuk kam pse t’i them jepni dorëheqjen sepse kanë dëshmuar se kanë sy veshë e duar”.

“Të gjithë drejtuesit e spitaleve rajonale e bashkiake. Është e qartë që largimi juaj menjëherë nesër nga detyra nuk është zgjidhja e këtij problemi, por vetëm fillimi i zgjidhjes.

Objektivi është autonomia spitalore, por çfarë autonomie spitalore mund të kemi ne në realitet nëse nuk kemi menaxhim të spitaleve. Spitalet janë ndërmarrje në fund të ditës, nuk janë stalla ku veterinerët ca lopë i shohin e ca jo, sipas humorit të tyre”, është shprehur Rama dy ditë më parë.