UNICEF thotë se gazetarët mund të veprojnë si mbrojtës të të drejtave të fëmijëve

20.07.2016 10:38:00

UNICEF-i ka reaguar të mërkurën lidhur me raportimet se ka hartuar një rregullore me institucionet pa i kushtuar kujdesin e duhur procedurave ligjore, e që me këtë po pretendohet të kontrollohen mediat online në lidhje me raportimin për fëmijë.

Lexoni reagimin e plotë të UNICEF-it:

“Gjatë ditëve të fundit mediat kanë raportuar se UNICEF ka zhvilluar një projektligj me institucionet pa i kushtuar kujdesin e duhur procedurave ligjore të miratuara në raste të tilla. Pjesa në vazhdim ka për synim që të ofrojë informacione të sakta dhe të japë shënime të qarta.

Në fund të vitit 2015, UNICEF-i ka bërë një vlerësim të kornizës ligjore dhe rregullative në fushën e mediave dhe fëmijëve. Vlerësimi ka identifikuar një numër të boshllëqeve që lidhen me mediat dhe mbrojtjen e fëmijëve, veçanërisht për ata më të cenuarit. Gjetjet e vlerësimit u paraqitën dhe u diskutuan në dhjetor të vitit 2015 gjatë një ngjarjeje publike me përfaqësuesit e mediave, organet rregullative të mediave, organizatat e shoqërisë civile, Zyrën e Avokatit të Popullit, përfaqësues të Komisionit të Pavarur të Mediave si dhe institucionet e tjera.

Pjesëmarrësit u njohën me boshllëqet e identifikuara nga vlerësimi, dhanë shembuj të nevojës për fuqizimin e standardeve raportuese lidhur me fëmijët në media në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe theksuan nevojën për mjete shtesë dhe dokumente ligjore për t’i udhëzuar më mirë profesionistët e mediave dhe për të siguruar respektimin e interesave më të mira të fëmijës.

Si hap pasues pas konsultimeve publike të vitit 2015, UNICEF-i ka angazhuar një ekspert për mbështetje në diskutimet për zhvillimin e rekomandimeve konkrete që do t’i adresonin boshllëqet e identifikuara dhe do të siguronin mbrojtje më të mirë të të drejtave të fëmijëve gjatë ndërveprimit me mediat.

Procesi ka qenë i hapur dhe transparent, përfshirë edhe takimet me institucione të ndryshme të mediave, organet rregullative të mediave, organizatat e shoqërisë civile.

Këshilltari ka propozuar një draft jozyrtar për informata kthyese me disa organe rregullative të mediave – për ta diskutuar formatin dhe përmbajtjen.

Gjatë gjithë komunikimit të shkëmbyer nga këshilltari u theksua qartë se rekomandimet e hartuara janë jozyrtare dhe nuk ishin dokumente të qeverisë.

Mbetet përgjegjësi dhe rol i UNICEF-it për të ofruar asistencë teknike në zhvillimin e udhëzimeve dhe në mbështetjen e hartimit të akteve normative.

Rekomandimet për mediat dhe fëmijët pritet ta fuqizojnë kornizën legjislative për mbrojtje të fëmijëve bazuar në konsultimet publike, për të siguruar që korniza ligjore dhe rregullative i fuqizon profesionistët e mediave, por gjithashtu siguron mbrojtjen e nevojshme për fëmijët.

UNICEF-i beson që gazetarët mund të veprojnë si mbrojtës të të drejtave të njeriut, duke vepruar si sytë, veshët dhe zërat e publikut dhe duke tërhequr vëmendjen për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të njeriut.

Mënyra se si mediat i portretizojnë fëmijët, apo edhe mos-përfillja e tyre në përfaqësim, mund të ndikojë në vendimet që merren në emër të tyre (të fëmijëve) dhe në atë se si pjesa tjetër e shoqërisë i trajton ata.

Prandaj, UNICEF-i e konsideron të rëndësishme pjesëmarrjen e profesionistëve të mediave, institucioneve mediatike, organizatave të shoqërisë civile e të tjerë në diskutimet e ardhshme publike rreth mekanizmave më të mirë për sigurim të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në artikujt e mediave, dhe i fton të gjithë akterët relevant që të kenë një rol aktiv në këtë proces.