United nuk bën dot dy fitore radhazi, zona Champions mbetet larg

02.11.2019 18:25:23

Manchester United nuk gjen paqe, pasi dështoi në një tjetër tentativë për të bërë dy fitore radhazi në kampionat, teksa mesditë ne sotme u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Bournemouthi në transfertë.

Të besuarit e Solskjaer vinin me moral të lartë pas triumfit 1-3 në transfertën ndaj Norwich, por këtë herë nuk ia dolën të marrin qoftë edhe një pikë, ndonëse patën disa mundësi shënimi.

Sfida u vendos nga një gol i shënuar nga King në fundin e pjesës së parë, i cili pasi mori një krosim në zonë, u la të bëjë ç’të dojë nga mbrojtja e “djajve të kuq” dhe me një lëvizje të bukur mposhti edhe De Gean, duke dërguar topin në rrjetë.

Manchester United mbetet kështu në kuotën e 13 pikëve dhe përkohësisht në vendin e 8, por me një distancë prej 7 pikësh nga zona Champions, që mund të bëhet edhe më e madhe, nëse Chelsea e Leicester fitojnë.