Universiteti i Prishtinës renditet 2 mijë pozita më lartë se vitin e kaluar nga Webometric

21.02.2019 11:54:43

Përpjekjet e akterëve në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për ngritjen e profilit akademik të UP-së kanë prodhuar një rezultat të shkëlqyer.

” Si rrjedhojë e kësaj, universiteti ynë tashmë rangohet shumë më lart se më parë në databaza botërore të rangimit të universiteteve.

Në fund të muajit janar të këtij viti, është shpallur versioni më i ri i rangimit të universiteteve nga Webometrics, rangim i cili Universitetin e Prishtinës e pozicionon rreth 2000 pozita më lart se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin për media.

Në një përditësim të ri të rangimit nga Webometrics, pozicioni i Universitetit të Prishtinës është ndryshuar nga pozita e 1471-të në pozitën e 2668-të.

” Webometrics deri më tani e ka përfshirë në rangimin e Universitetit të Prishtinës edhe Universitetin e Mitrovicës, të administruar nga institucionet paralele në veri, i cili mban në mënyrë të paligjshme emrin Universiteti i Prishtinës. Ngritja në rangim e Universitetit të Prishtinës për mbi 2000 pozita është rezultat i punës së çmuar të stafit akademik të universitetit, që me publikimet shkencore e ka ngritur profilin akademik të UP-së. Tashmë, profili i Universitetit të Prishtinës është pastruar nga llogaritë e universiteteve tjera”, thuhet më tej në njoftim.

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës mbetet i përkushtuar që kontributi shkencor i stafit të UP-së të vlerësohet, promovohet dhe të intensifikohet, në mënyrë që UP-ja të vijojë ngritjen e profilit akademik kudo në botë, si dhe të vazhdojë të jetë pararojë e shkencës në Kosovë dhe rajon.