UP-ja dikur kishte një Union Studentor, sot ka 9 organizata pak të vërejtshme

01.10.2016 14:19:37
Studentët vlerësohet të jenë pjesë shumë e  rëndësishme e shoqërisë. Madje ata kanë dëshmuar se në shumë raste kanë qenë promotor të lëvizjeve të mëdha shoqërore në shumë vende të botës.

Të tillë ishin edhe gjeneratat e studentëve të viteve 90-ta, kur Kosova ishte nën okupimin e Serbisë, e ku ishin organizuar demonstrata të ndryshme për të kundërshtuar padrejtësitë e asaj kohe.

Një ndër më të mëdhatë dhe që i dha një shtytje të madhe kauzës për liri e pavarësi, ishte protesta e 1 tetorit e vitit 1997 e organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të UP-së.

Njëri nga protagonistët e demonstratës  së 1 tetorit të vitit 1997, Driton Lajçi, duke folur për rolin e protestave  studentore, thotë se ky ishte një veprim i rrezikshëm dhe i guximshëm i organizatës studentore.

“Ishte guxim edhe i lidershipit të asaj kohe të UP-së dhe të gjithëve që janë solidarizuar për kauzën tonë, e që ka qenë paqja liria dhe kthimi i normalitetit në Kosovë për shqiptarët e Kosovës”, thotë Lajçi për lajmi.net.

Por, dikur studentët e UP-së që i bashkonte kauza për liri e pavarësi, sot janë të ndarë në organizata të ndryshme. Në zgjedhjet e fundit studentore në garë ishin 9 organizata që për qëllim kanë mbrojtjen e të drejtave studentore.

E për Lajçin pluralizmi studentor është rezultat i pluralizmit politik. Ai për lajmi.net vlerëson  se kjo duket e mirë për demokracinë, por që ka shpërndarë fuqinë e studentëve për të bërë rolin e tyre.

“Kjo shpërndarje e studentëve sa do që duket në shikim të parë si e shëndetshme në aspektin demokratik, kam një përshtypje se është shpërndarë energjia e tyre dhe fuqia e tyre në realizmin e  qëllimeve studentore, megjithatë secila kohë i ka heronjtë e vet”, është shprehur ai.

Ndërkohë, Musa Berisha, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”,  ka thënë se protesta e 1 tetorit e vitit 1997, është dhe do të mbetët pikë kthese në historinë e Kosovës.

Ai për lajmi.net thotë se gjenerata e asaj kohe mbetet shembull për ta.

Ai vlerëson se edhe sot  roli i studentëve është i rëndësishëm, pavarësisht se tash në rrethana të reja.

“Edhe në ditët e sotme pavarësisht qe rrethanat kanë ndryshuar dhe e kemi shtetin dhe institucionet tona te pavarura,  prapë se prapë studentet kanë rol shumë të rëndësishëm në ngjarjet aktuale në Kosovë, duke qenë shumë aktiv dhe kritikë për zhvillimet te cilat ndodhin ne vendin tonë”, shprehet Berisha.

Sipas tij, Parlamenti Studentor mbetet i përkushtuar t’i mbrojë interesat e qytetarëve.

“Parlamenti i Studentëve i Universitetit te Prishtinës që është edhe organi me i lart i përfaqësimit të studenteve është dhe mbetet përherë pranë studenteve me qëllim mbrojtjen e te drejtave qe ua garanton statuti i UP-së dhe përmirësimin e kushteve te tyre gjate studimeve”, ka thënë Berisha.