Ura e Vashës”, historia 300-vjeçare që lidhte Matin me bregdetin

07.07.2019 13:24:56

 

“Ura e Vashës” gjendet ne fundin e fshatit Guri i Bardhë (bashkia Klos) dhe lidh dy brigjet e lumit Mat dhe ka qenë i vetmi mjet komunikimi në rrjedhën e sipërme të lumit të Matit. Ura është me një hark dhe në anën e djathtë të rrjedhës ka një dritare shkarkuese. Këmbët e saj janë vendosur në malin e Vërrithit dhe malin e Dishit. Është 11 m e gjatë, hapësira e dritës midis dy këmbëve është 7 m dhe lartësia e harkut nga pasqyra e ujit po 7 m.

Gjerësia e trasesë së urës është 2. 8 m dhe është shtruar me gurë e rrasa. Harku i saj është gjysëm rrethor dhe është punuar me gur gëlqeror të latuar e të skuadruar dhe me qemer të dyfishtë. Të dy anët e qemerëve anë përforcuar me ganxha hekuri. Në faqen e djathtë të shkëmbit, kur vjen nga Guri i Bardhë, duken gjurmët e vendit ku ka qenë fiksuar një kushtim që bënte fjalë për ndërtuesit dhe kohën e ndërtimit të saj. Kjo urë ka mbajtur mbi shpatullat e saj gjithë barrën e karvaneve të rrugës për në Dibër, e cila lidhte atë me bregdetin nga merrej kripa dhe produkte të tjera.

“Ura e Vashës” nuk ka pasur këtë emër. Ajo quhej “Ura e Skurës” dhe e ka ndërtuar si vepër bamirësie Haxhi Hajrulla Skura nga lagja “Mansaj” e Gurit të Bardhë, afërsisht 300 vite më parë. Ajo i ka marrë emrin “Urës së Vashës” që gjendet jo shumë larg saj, në Sheun e Dishit dhe që sot quhet “Ura e Skurës”.