Urimi i Pacollit për SHBA-në

04.07.2017 16:57:19

Lideri i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli sot në përvjetorin e 241 të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shprehur urimet e tij më të përzemërta për popullin Amerikan.

Ai po ashtu i ka falënderuar për mbështetjen e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Më poshtë lexojeni shkrimin e plotë të tij: 

Me rastin e përvjetorit të 241-të të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më lejoni që në emër të Aleancës Kosova e Re, në emër tê familjes time dhe në emrin tim personal, t’i shpreh urimet më të përzemërta për popullin Amerikan në festimet e 4 korrikut.

SHBA-të i kanë sjellë botës paqe, liri dhe demokraci me besimin se liria duhet të gëzohet nga të gjithë. Me këtë rast edhe njëherë Popullit të ShBA-ve i shprehu falënderimet më të thella për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për qëndrimin pranë popullit të Kosovës edhe në kohërat më të vështira.

Ne do t’i mbesim përgjithmonë falënderues popullit Amerikan për mbështetjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke ritheksuar kështu aleancën dhe partneritetin tonë të përhershëm me Shtetet e Bashkuara.