Ushtria siriane nuk e rrespekton armëpushimin

12.09.2016 21:49:52

Sot në mbrëmje ka filluar zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit në Siri. Gjithsesi, armëpushimi 10-ditor pritet të ndiqet nga sulme ajrore të koordinuara mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kundër terroristëve.

Media shtetërore siriane raportoi se presidenti Bashar Asad e mirëpriti këtë marrëveshje, e cila u arrit mbrëmjen e së premtes në Gjenevë, pas muajsh të tërë bisedimesh mes Rusisë dhe SHBA-ve. Edhe Irani e mirëpriti këtë marrëveshje. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit deklaroi se Irani e mirëpret marrëveshjen SHBA-Rusi për vendosjen e armëpushimit në Siri dhe shtoi se i gjithë populli sirian duhet të përfitojë nga ndihmat humanitare. Behram Kasemi, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit, tha se marrëveshja e armëpushimit nuk përfshin grupet terroriste si ISIS, Al Nusra etj, dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të mobilizohet për shkatërrimin përfundimtar të grupeve terroriste dhe ekstremiste në Siri. z. Kasemi theksoi se armëpushimi nuk duhet të shërbejë për armatosjen dhe riorganizimin e grupeve terroriste takfiriste.

Megjithatë, është ende e paqartë nëse fraksionet e rebelëve do ta respektojnë marrëveshjen e armëpushimit. Grupi i “Ushtrisë së Lirë Siriane” i ka shkruar një letër administratës së Shteteve të Bashkuara, përmes së cilës thotë se, ndërsa do të “bashkëpunojnë konstruktivisht” është e shqetësuar se armëpushimi do t’i sjellë përfitime qeverisë së Asadit. Një tjetër grup i madh i rebelëve, ai i linjës së ashpër ekstremiste “Ahrar al-Sham” e ka refuzuar marrëveshjen.

Megjithatë, ende pa hyrë në fuqi armëpushimi, duket se ka shenja problematike me këtë plan. Grupet e armatosura opozitare, qoftë ato të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, e deri tek ato që kanë lidhje me “Al Kaedën”, kanë krijuar një aleancë për të luftuar ushtrinë siriane. Kjo dëshmon se edhe ato grupe që Uashingtoni i quan “të moderuara”, në fakt janë grupe terroriste që në metodat dhe qëllimet e tyre nuk kanë asnjë ndryshim nga ISIS, Al Nusra apo Ahrar al-Sham. Nga ana e tij, Presidenti i Sirisë deklaroi se e gjithë Siria do të pastrohet nga llumi i terroristëve. Bashar Asad mori pjesë në namazin e Kurban Bajramit në qytetin Daria në periferi të Damaskut ku theksoi se qeveria e Sirisë është e vendosur për të cliruar të gjitha territoret që ndodhen nën kontrollin e terroristëve.

 

 

Presidenti sirian shtoi se qeveria siriane është e gatshme për të rindërtuar të gjitha rajonet e shkatërruara nga lufta dhe nuk do të bëjë asnjë kompromis me terroristët. Duke theksuar se marrëveshja e armëpushimit nuk do të ndalë luftën e Sirisë kundër grupeve terroriste, Bashar Asad tha se pas 5 vitesh, disa ende jetojnë në ëndrra dhe iluzione dhe nuk janë zgjuar akoma.

“Kushdo që mbështetet tek premtimet e fuqive të huaja duhet t’a dijë se nuk do të arrijë asgjë”-tha presidenti sirian duke shtuar se për fatin e Sirisë do të vendosë vetëm populli sirian. “U bëjmë thirrje të gjithë sirianëve t’i kthehen pajtimit”, tha Asad. Në Daria, Bashar Asad u është bashkuar besimtarëve për Festën e Bajramit, duke bërë një paraqitje të rrallë publike që sipas vëzhguesve, dërgon mesazh të fuqishëm te kundërshtarët.