Vajza me emrin Fjollë

22.12.2016 13:10:59

Nga Mehmet Elezi

1.-Quhem Fjollë.

Vajza me këtë emër qe studente shqiptare në Universitetin e Lozanës.

-Emër shumë i bukur, ia di kuptimin?

-Po si jo, tha. Flok bore.

2.Pa hyrë te prejardhja, fjollë është fjalë e mbarë shqipes. E kanë dy dialektet, edhe arbëreshët e Italisë. Mjaft pjellore, ka krijuar çerdhe fjalësh. Për të interesuarit, në këtë çerdhe janë edhe këto fjalë e kuptime:

  1. Lesh me fije të gjata, të drejta; tymën, endë.“Kambët e holla si t’kaprollit/ Qymja e tij si leshi i fjollit…” (Eposi i Kreshnikëve, Gjogu i Mujit).

Fjollë bliri lëvore e hollë bliri, me të cilën bëhen torta (lloj litari).

Fjollë liri li i krehur, cilësia më e mirë e tij.

  1. Flok bore (Kosovë ky kuptim).
  2. si mbiemër. Që është si fjollë; i drejtë e i hollë.

E kanë bririn, qimen fjollë  (gjëja e gjallë) janë të shëndetshme, të mbara.

  1. si ndajf. fig. Bukuri, drejt.

Ia çoi fjollë ia çoi (kaloi) shumë mirë.

I ka punët fjollë, i shkon tymi fjollë i ka punët në vijë, shumë mirë.

I shkon zëri (kënga) fjollë i del zëri i kthjellët; është i lumtur.

U shkon brini, qimja fjollë (gjësë së gjallë) janë shumë mirë, po ecin mbarë.

  1. Emër vajze (Kosovë).

Fjoçe-fjóçe ndajf. (prej fjollëçe). Flokë-flokë. “Mori bije vdora fjoçe-fjoçe/ Liria fëllanxa po lan bofçe” (këngë popullore).

Fjók/ë, – a f. sh. – a, – at (prejardhje e përzier prej flokë, fjollë). Një e krehur leshi me gërhanë; e lënurme. E bâj shllungën me fjoka (Kosovë).

Fjóllç/ë, – a f. sh. – a, – at (prej fjollë). Fillak, filliçë (Anamal).

Fjellák, – u m. (prej fjollë, ka ndikuar edhe fije) bot. Lloj bari i gjatë (Plavë Guci).

Fjellák, – e mb. (prej fjollë, ka ndikuar edhe fije).  Shtatgjatë, fillak. Grue fjellake. Përdoret edhe si emër.

Fjolló/j kal. – va, me fjollue (prej fjollë) vet. vet. e 3 – të. Bie borë e imët, e rrallë; fijat, fijon, flokon, kimon, qimon (Kosovë).

Fqúell ose fshqúell, – fqólli m. sh. fqój, – të (krahaso fjollë, fashuell, faqell). Fashë; rryp i hollë (drite, toke etj.). Nji fshquell tokë. Nji fshquell dritë.

(Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe të M. Elezit, Tiranë, 2006).

  1. Fjollë si sinonim i flokut të borës është veçanërisht tingëllues.

Edhe më i bukur tingëllon si emër vajze. Me bardhësinë e brishtë dhe dlirësinë qiellore në përfytyrim.

Në fjalorët e gjuhës shqipe të akademisë nuk gjinden kuptimet e mësipërme. As fjollë – flok bore, as emër vajze, as të tjerat.  Ani pse shumë të përdorura. Në Kosovë sidomos dhe te shqiptarët e Maqedonisë.

E ka fajin gjuha shqipe?

Vajza studente në Universitetin e Lozanës?

Apo kriteret përjashtuese mbi të cilat vazhdojnë të hartohen e botohen fjalorët akademikë në Tiranë?