Vajzat e Flamurtarit mposhtin Tiranën, shpallen kampione në basketboll

05.05.2018 23:18:36

Flamurtari i Vlorës është shpallur kampion në basketbollin për femra, teksa ka mposhtur Tiranën bindshëm 3-0, në të 3 takimet e zhvilluara. Në sfidën e pasdites së sotme, vajzat vlonjate fituan me rezultatin 76-65 dhe arritën të ngrenë titullin e merituar plotësisht këtë sezon.

Ky është trofeu i 22-të për Flamurtarin, që në takimin e sotëm dominoi totalisht përballë tifozerisë së tij, duke mposhtur bindshëm Tiranën. Flamurtari arriti ta dominojë kampionatin në fazën e dytë, kur mori kreun e renditjes dhe e mbrojti atë deri në fund, ndërkohë që lojërat e mira i tregoi edhe në play off.

Fitorja 3 ditë më parë në finalen e dytë në Tiranë ishte shumë e rëndësishme për rrugën drejt titullit, pasi suksesi arritur në fushën e bardhebluve praktikisht vulosi fitoren.

Mikeshat nga kryeqyteti tentuan të bëjnë mrekullinë në Vlorë, por pa sukses, duke u dorëzuar në pjesën e dytë, ndërsa Flamurtari ishte më racional dhe i saktë, duke festuar me meritë titullin.