Valdete Bajrami manipuloi dhe e ofendoi Ulrike Lunacekun tha Dumoshi

05.10.2016 15:50:19

Shefja e Stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, ka reaguar pas deklaratës së deputetes së NISMA-s, Valdete Bajrami, e cila u demantua edhe nga vet eurodeputetja Ulrike Lunacek.

Valdete Bajrami u shpreh një ditë më parë se  eurodeputetja Lunacek u ka thënë se demarkacioni për liberalizmin e vizave është kërkuar si kriter nga Qeveria e Kosovës. Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar eurodeputetja Lunacek, e cila deklaroi se kurrë s’ka thënë se Qeveria e ka kërkuar demarkacionin si kusht për vizat.

Me këtë rast, Vlora Dumoshi ka thënë se Valdete Bajrami, duke manipuluar me emrin e eurodeputetes Lunacek dhe në përpjekje që të manipulojë opinionin në Kosovë, ka fyer zonjën Lunacek, e cila njihet si përkrahëse e madhe e proceseve eurointegruese të Kosovës.

Shkrimi i plotë i Vlora Dumoshit:

Valdete Bajrami, paska fyer edhe një mike të madhe të Kosovës.

Ngjashëm me ofendimin që ia bëri Papës, duke e konsideruar njeri që zhvillon takime nëpër holle, Valdetja mbrëmë, paska deklaruar se “Ulrike Lunacek ka thënë se demarkacioni për liberalizmin e vizave është kërkuar si kriter nga Qeveria e Kosovës”. ( http://www.gazetaexpress.com/…/bajrami-lunacek-na-tha-se-q…/ )

Kjo deklaratë e pavërtetë e Valdete Bajramit, është demantuar plotësisht nga zonja Lunacek, e cila deklaroi se kurrë s’ka thënë se Qeveria e ka kërkuar demarkacionin si kusht për vizat. (http://www.gazetaexpress.com/…/lunacek-kurre-s-kam-thene-s…/ )

Më këtë veprim, duke manipuluar me emrin e eurodeputetes Lunacek dhe në përpjekje që të manipulojë opinionin në Kosovë lidhur me demarkacionin, Bajrami ka fyer zonjën e nderuar Lunacek, e cila njihet si përkrahëse e madhe e proceseve eurointegruese të Kosovës.

E nderuar deputete, kjo metodë e zgjedhur nga ana Juaj, përmes shtrembërimit të deklaratave të personaliteteve të huaja dhe fyerjes së figurave të mëdha botërore që e përkrahin Kosovën, nuk ju bën nder as Juve personalisht, as NISMA-së dhe as Kosovës.

Andaj, e dashur, bëj përpjekje të gjesh ndonjë metodë më dinjitoze, më kreative dhe të frytshme për të ardhur në shprehje dhe për të dalë në pah.