Valdete Daka sqaron problemin me vula në Deçan

22.10.2017 10:41:18

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka ka sqaruar vonesën e votimin në dy qendra të vendvotimit në Deçan.

Daka tha se deri në këto zgjedhje vulat kanë qenë uniforme ndërsa këtë herë KQZ-ja e ka bërë secilin vendvotim me vulë të veçantë, për këtë arsye në dy qendra të vendvotimit janë ngatërruar vulat dhe pasi janë kthyer procesi ka vazhduar të rrjedhë pa ndonjë parregullsi.

“Dy vula janë ngatërru sepse deri në këto zgjedhje vulat kanë qenë uniforme, për me ngrit sigurinë në vendvotime ne e kemi bërë për secilin vendvotim vulën e veçantë. Janë ngatërru dy vulat në dy vendvotime edhe deri sa janë kthy prap ato vula (sepse nuk ka vula të dyfishta është vetëm një vulë për secilin vendvotim), është blloku procesi dhe tash çdo gjë është në rregull”- tha Daka

Bëhet fjalë për qendrën e vendvotimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” dhe një qendër tjetër po në këtë komunë.

“Vulat janë kthy dhe votimi po vazhdon me qenë në rregull, në ora 08:10 të gjitha qendrat në Deçan kanë qenë pa asnjë parregullësi”- tha Daka