Vargje nga Pranvera Gjoni

31.05.2019 19:56:28

(I PARI) PËRVJETOR I THYER…!

Përvjetori i ikjes,
erdhi mes mallit të dhimbjes…
Ndezi kujtimet e pafjetura
lotëve të bimëve
që mungesa s’di t’i rritë…!

Pranvera, s’qesh më si dikur!
Veshur me hijen e dikurshme,
përcjell pezmatimin
në çdo lule që çel,
udhës së pavullnetshme
të ritit universal,
që trupi shndërrohet në frymë
e fryma në përjetësi,
për ata që s’pranojnë harresën…

Sivjet erdhë me huq të madh!
E mangët në shtyllën kurrizore,
e padëshirueshme,
krejt në ciklin e vet të shfrenuar
për të na treguar
se ingranazheve
në rrotullim të jetës,
s’mund t’i shpëtojë askush…!

Tiranë, 6 maj 2019.

S’MUND TË HESHT…!

Ka shumëçka
që e çnderon planetin tim…!

Bashkimi ndan fetë,
evolucioni predikon ngjyrën,
vibrimi ndaj unit
rrit globalisht racizmin…

Ka më shumë se tepër,
helm që në koka të hidhura zien…!

Populli im po vdes thonë,
huazimeve gjithëfarëlloj
të njerëzve të zinj,
lëkurëverdhë,
dhe atyre të të njëjtës markë
por me gjeografi tjetërsoj…

Ka persekutim mbi dhimbjet,
pushtetit fuqiplotë mbi liritë…!

Hartat e banueseve
i projektojnë si “geto” shpërbërje,
t’ua zezosin ëndrrat e mbijetës
të dënuarve në vendin e tyre,
e në vendin që zgjodhën
si dritë mbi humbjeshpresën…

Ka së tepërmi konvulsione,
trupit të vjetëruar në turp të ri…!

Pasi kanë bërë transplant plazme,
krushqive në prekjen e parajsës…
Gishtin e fashuar me gjak hibrid
ua drejtojnë prejardhjeve,
t’ua lëshojnë kalatë
edhe pse sëbashku
i ngritën në qiell
që nga rrënjët…

Ka, po po ka aq sa nuk tregohet,
civilizimit hileqar, pushtues kombesh…!