Vazhdojnë dallimet rreth Demarkacionit me Malin e Zi (Video)

03.10.2017 22:26:29

Demarkacioni me Malin e Zi kthehet sërish në tavolinën e diskutimeve tek liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës.

Pas një vizite që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati në SHBA, ai tha se kjo çështje duhet të përfundojë shpejt.

Por gjërat në Kosovë nuk duket se janë shumë afër zgjidhjes.

Komisioni i ri tashmë ka nisur punë, por kryeministri i Kosovës thotë se versioni aktual nuk do të kalojë.

E Opozita është kundër çdo opsioni, ndërsa liberalizimi i vizave është i lidhur me këtë proces.

Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, i emëruar nga kreu i qeverisë Ramush Haradinaj, ka nisur zyrtarisht punën e tij.

Ky komision që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se janë duke punuar profesionalisht, dhe po merren me gjendjen e fakteve të verifikuara dhe sipas Ligjit në fuqi do të veprojnë për ta përfunduar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Sido që të jetë, versioni aktual, sipas kryeministrit Haradinaj, nuk do të kalojë.

Në anën tjetër, deputetë të partisë që më herët janë pajtuar me versionin aktual, tash janë kundër.

Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se pavarësisht ndryshimeve që mund të ketë versioni i ri, nëse ai është në dëm të Kosovës nuk do ta ketë mbështetjen e tyre.

Selimi por edhe Abdixhiku shprehen skeptikë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion do të kryhet shpejt, edhe pse një gjë e tillë është kusht për liberalizim vizash por edhe kërkesë e SHBA-së.