Vazhdojnë hetimet e shkaqev të vetëvrasjeve të dy të miturave në Prizren

06.06.2018 15:32:50

Prokuroria Themelore në Prizren ka intervistuar shokët dhe shoqet e dy vajzave të mitura, të cilat muajin e kaluar kryen vetëvrasje, duke u hedhur njëra nga kati i pestë dhe tjetra nga kati i tetë i ndërtesës. Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala thotë se hetimet ende janë në fazën fillestare dhe se janë hapur shumë pista të hetimeve. Sociologët alarmojnë për rritje të trendit të vetëvrasjeve.

Prokuroria Themelore në Prizren është duke hetuar shkaktarin që dërgoi në vetëvrasjen e dy vajzave të moshës 16-vjeçare muajin e kaluar në këtë qytet.

Që të dyja vajzat ishin shoqe të klasës dhe të dyja kishin kryer vetëvrasje, duke u hedhur nga ndërtesat disakatëshe.

Për të zbardhur motivet të cilat kanë shtyrë dy të miturat në vetëvrasje organet e Hetuesisë dhe të Prokurorisë janë duke hetuar të gjitha pistat e mundshme.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Admir Shala i ka thënë gazetës Zëri: “Jemi duke marrë veprime për të siguruar informacione për të shikuar çfarë ka ndodhur. Jemi në fazën fillestare të mbledhjes së informatave. Ne jemi duke i hetuar të gjitha pistat. Jemi duke intervistuar edhe shokët dhe shoqet e tyre”, ka thënë kryeprokurori Shala.

Ai thotë se ende nuk është zbuluar ndonjë detaj që do të dërgonte në zbardhjen e motivit të këtyre vetëvrasjeve.

“Nuk mundem të jap kurrfarë konstatimi, sepse është rrezik edhe për hetimin dhe pastaj mund të dalin edhe spekulime të ndryshme dhe mund ta dëmtojmë edhe rastin. Jemi duke bërë ekzaminimin e pajisjeve dhe nuk e dimë çka del prej atyre provave që i kemi siguruar. Ne mundemi vetëm të konfirmojmë se jemi duke siguruar informata dhe po i hetojmë të gjitha pistat e mundshme”, ka thënë Shala.

Edhe drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Prizren Nexhmedin Krasniqi thotë se ende është herët të jepen detaje rreth shkaktarëve të këtyre dy vetëvrasjeve.

“Ne asgjë s’mund të flasim, sinqerisht po them se hetimet janë duke u bërë në atë drejtim dhe nuk mund të bëjmë asnjë dezinformatë pa u kryer hetimet”, ka thënë Krasniqi.

Sociologu: Gjendja e rëndë sociale do ta rrisë numrin e vetëvrasjeve

Sociologu Shaip Hasani thotë se dëshpërimi në papunësi, në përgatitje të intelektit, që familja nuk i kushton rëndësi rritës dhe krijimit të personalitetit të fëmijës, për përcjellje e pa mbështetje janë disa nga shkaktarët e vetëvrasjeve të të rinjve.

Përveç familjes, e cila sipas tij është e përfshirë në probleme sociale, edhe institucionet janë përgjegjëse për këto raste.

Sipas Hasanit, trendi i vetëvrasjeve do të shënojë rritje nëse vazhdohet me këtë gjendje të rëndë sociale, në të cilën gjenden qytetarët e Kosovës.

“Pjesa dërmuese e familjeve sot në Kosovë për shkak të problemeve të tjera të mëdha sociale që e kanë katandisur Kosovën me siguri edhe kohën e ka shumë të vogël të merren me fëmijët e tyre. Mendoj se në këtë vazhdë dhe në këtë formë të zhvillimeve të gjithëmbarshme të proceseve që zhvillohen nga familja deri të institucionet nuk e shoh që do të rrënohet ky fenomen. E shoh ende në devijim, në dëshpërim dhe në procese, ku numri i atyre që vijnë dhe shtohen janë procese të pandalshme”, shprehet sociologu Hasani.

Ai e quan të tmerrshme dhe të turpshme gjendjen në të cilën institucionet e Kosovës i kanë sjellë qytetarët e saj.

Sipas tij, rinia që e kanë mundësinë më të vogël ikin jashtë, ndërsa ata që nuk e kanë bien në depresione të mëdha, të cilat kushtojnë edhe me jetë.

Ndërkohë, tragjedia e parë kishte ndodhur në orët e para të 8 majit, kur një femër e moshës se re ishte hedhur nga kati i pestë i banesës për t’i dhënë fund jetës.

Pa kaluar dy javë tragjedia e dytë kishte ndodhur më 25 maj në orët e para të ditës.

Një vajzë ishte hedhur nga kati i tetë i banesës, duke mbetur pa shenja jete.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 4 raste të vetëvrasjeve, ndërsa duke u trajtuar nga ana policore janë edhe disa raste të tjera që janë iniciuar si “vdekje e dyshimtë”.

Sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, ndonjëri nga këto raste të cilësuara si “vdekje të dyshimta” mund ta ndërrojë kategorinë e veprës pas përfundimit të hetimit dhe procedurave mjeko-ligjore.

Policia bën të ditur se mosha e personave që dominon në kryerjen e vetëvrasjeve janë nga 18 deri në 40-vjeçare.

Sa i përket gjinisë, viktimat e gjinisë mashkullore, sipas Policisë, prijnë në kryerje të këtij akti, kurse për rastet e mbetura në tentativë ka më shumë raste të gjinisë femërore.

Sipas statistikave të Policisë, ky fenomen ka shënuar rënie nëse shikohet nga vitit 2014, ku numri i vetëvrasjeve ishte 77 persona të vetëvrarë brenda një viti.

Ndërsa numri i tentimvetëvrasjeve është pothuajse i njëjtë. Në vitin 2014 janë evidentuar 77 vetëvrasje dhe 261 tentimvetëvrasjeje, në vitin 2015 ka pasur ulje të numrit të vetëvrasjeve, 60 vetëvrasje dhe 219 tentimvetëvrasjeje, në vitin 2016 ky numër është ulur dukshëm në 37 vetëvrasje dhe 229 tentimvetëvrasjeje, ndërsa vitin e kaluar numri i personave të cilët i kanë dhënë fund jetës së tyre ishte 32 raste dhe 216 tentimvetëvrasjeje.