Vazhdojnë pritjet dhe kolonat e gjatë në hyrje të Kosovës

21.07.2019 22:34:47

Bashkatdhetarët vazhdojnë të presin me orë të tëra nëpër kufijtë në hyrje të  Kosovës.

Fluksi i bashkatdhetarëve për në Kosovë ka vazhduar edhe sot.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar statistikat më të fundit për gjendjen dhe fluksin në hyrje dhe dalje të Kosovës.

Sipas të dhënave të fundit, në pikëkalimin kufitar në Merdare, bashkatdhetarët për të hyrë në Kosovë kanë pritur deri në 1 orë e gjysmë, kurse kolona në këtë pikë kufitare ka qenë  e gjatë deri në 250 metra, shkruan lajmi.net.

Sipas kësaj qendre, në Merdare ka pasur kolonë edhe në dalje, ku kolona ka arritur deri në 70 metra.

Edhe te Dheu i Bardhë, qytetarët janë përballur me pritje e kolonë të gjatë.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritja te Dheu i Bardhë  është deri në 1 orë kurse kolona 200 metra.

Edhe në dalje të Kosovës në këtë pikë kufitare ka pasur koloni deri në 50 metra.