Vazhdojnë të anulohen seancat e caktuara te gjykatësi që u zgjodh Drejtor i Akademisë së Drejtësisë

01.11.2017 15:22:58

Edhe një seancë tjetër e caktuar të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është anuluar për arsye se gjykatësi i kësaj lënde Valon Kurtaj, tashmë është zgjedhur Drejtor i Akademisë së Drejtësisë.

Shqyrtimi i paraparë për të mërkurën, ku të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, janë zyrtarët e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda, është shtyrë për një datë të pacaktuar.

I akuzuar në këtë rast për veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” është edhe Milot Cena.

Edhe seanca e kaluar për këtë rast, e paraparë të mbahej më 19 tetor, ishte shtyrë për shkak se kishte munguar i akuzuari Cena.

Përveç seancës të së mërkurës, gjatë këtyre dy javëve të fundit janë anuluar edhe katër seanca tjera te gjykatësi Kurtaj, pasi që ky i fundit pritet të filloi punën në pozitën e re të drejtorit të Akademisë së Drejtësisë.

Lëndët e gjykatësit Kurtaj priten të kalojnë tek gjykatësit tjerë të Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe tek atëherë të vazhdojnë gjykimet të cilat janë anuluar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës, akuzon Ilir Dushin, se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Haki Ejupi si drejtor i Departamentit dhe Arian Zeneli dhe Gylten Kurda si asistentë profesionalë në zyrën e banderolave në AKPM, kishin keqpërdorur pozitën e tyre.

Ata, sipas aktakuzës, me marrëveshje paraprake me qëllim që t’i mundësojnë kompanisë “Asgeto” përfitim të dobisë pasurore, kanë keqpërdorur pozitën duke lejuar që kjo kompani të pajiset me banderola edhe përkundër faktit se “Asgeto”  kishte licencë nga AKPM-ja. Por sipas aktakuzës, kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik vlera e të cilave importime arrin shumën 655,841,05 euro.

Sipas kësaj, Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda akuzohen se i kanë mundësuar kësaj kompanie furnizimin me banderola dhe këto produkte të insulinës janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, e më pas janë shpërndarë nëpër qendra të ndryshme mjekësore në vend.

Aktakuza ngarkon tutje edhe Milot Cenën, i cili akuzohet se ka dorëzuar insulinën me numër tjetër serik në Ministrinë e Shëndetësisë edhe pse nuk kishte licencë adekuate për atë produkt.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” nga neni 266 paragrafi 2 i KPRK-së.