Vazhdon fushata, Medina Surdulli me sindromën Down shet produktet e shoqatës në supermarket

04.03.2019 23:29:43

Për të sot ishte një sfidë e re. Ajo për herë të parë, ishte në rolin e një shitëseje, në njërin nga supermarketet tona.

Kështu Medina Surdulli me sindromin Down, përveç që kryente një punë të mrekullueshme  po i promovonte produktet e qendrës “Down Syndrome Kosova”.

Ajo ka thënë se për të është një përvojë shumë e mirë dhe e paharruar.

“Kam ardhur hera e parë të shesim në këtë vend. Jemi duke shitur produktet tona. Kemi xhemë, qirinj, kartolina, mjaltë, punime dore dhe libra. Këto produkte i kemi punuar bashkë me anëtarët e shoqatës dhe vullnetarët”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Medina Surdulli.

Bashkë me Medinën ishte edhe Riada Stanovci, vullnetare në Qendrën Down Sindrome.

Ajo ka thënë se që nga muaji nëntor është vullnetare në këtë qendër, dhe tashmë ajo nuk dëshiron të ndahet asnjëherë prej tyre.

“Prej nëntorit jam pjesë e shoqatës ‘Down Syndrome Kosova’. Është kënaqësi e madhe të jesh pjesë e kësaj shoqate, dhe të japim kontribut sado i vogël qoftë. Ne sot i promovojmë produktet e shoqatës sonë”, deklaroi Riada Stanovci.

Këto aktivitete që po organizohen pothuajse çdo muaj, nga Qendra, po bëhen për t’i socializuar anëtarët e saj dhe njëherit për t’i promovuar dhe shitur produktet në të njëjtën kohë.

Alban Fejza, menaxher i marketingut, ka thënë se do të vazhdojnë edhe më tutje me këto aktivitete, sepse kjo është një mundësi shumë e mirë për anëtaret e shoqatës.

“Jemi në muajin mars ku po implementojmë njërën nga strategjitë tona të marketingut, ku zë pjesë bashkëpunimi me rrjetet zinxhirore të supermarketeve. Pra jemi duke ndjekur një formë bashkëpunimi ku po implementojmë marketingun me kauzë, në mënyrë që të përkrahim aktivitetet e shoqatës”, tha Alban Fejza.

Me plot gaz në fytyrë, 23 vjeçarja Medina Surdulli, po i priste më shumë mirësjellje klientët e interesuar për blerjen e këtyre produkteve, të cilat i ka bërë bashkë me shoqet dhe shokët e saj të Qendrës.