Vazhdon gjykimi i Oliver Ivanoviqit

17.08.2017 11:35:56

Në Gjykatën Themelore, në veri të Mitrovicës ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit me akuza për krime lufte në Mitrovicë, të kryera më 14 prill të vitit 1999 në rrugën e “Kovaçëve”, ndërsa për pikën e dytë të aktakuzës, “Vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbim të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës”, Apeli e ka shpallur të pafajshëm.

Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, i cili akuzohet për krime lufte të kryera ndaj civilëve shqiptarë më 14 prill të vitit 1999, në rrugën e “Kovaçëve” në Mitrovicë.

Për pikën 2 të aktakuzës, “Vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbim të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës më 2 shkurt të vitit 2000”, Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm.

Për krime të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës, në rrugën e “Kovaçëve” në Mitrovicë, trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, që kryesohej nga gjykatësja rumune Roksana Komsha, Ivanoviq është dënuar me 9 vjet heqje lirie.

Por Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim, ndërsa Oliver Ivanoviqin e ka liruar nga burgu për t’u mbrojtur nga liria.

Në seancën gjyqësore të së mërkurës ka dëshmuar Isa Mustafa, i cili në hollësi ka ripërsëritur të gjithë atë që kishte thënë në gjyqin paraprak të Oliver Ivanoviqit.

Sipas tij, Oliver Ivanoviq ka komanduar me një grup të serbëve të uniformuar, të cilët kanë nxjerrë civilët shqiptarë nga shtëpitë e tyre në rrugën e “Kovaçëve” dhe derisa gratë dhe fëmijët i ka ndarë nga burrat dhe u ka dhënë udhë për në Shqipëri, këta të fundit, 24 civilë shqiptarë janë ekzekutuar.

Para fillimit të seancës gjyqësore, të mërkurën, Oliver Ivanoviq u ka thënë medieve se pret një vendim dhe përfundim pozitiv të gjykatës, “duke u bazuar në drejtësi e jo në politikë”.