Vazhdon greva e minatorëve të Stantërgut, nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre (Video)

08.01.2019 22:28:14

Minatorët e Stantërgut  po vazhdojnë grevën, pas pezullimit njëditor.  Ende nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria, kundrejt kërkesave të tyre. E në rast se vazhdohet me këtë heshtje, minatorët kërcënojnën me mbylljen në minierë, siç kishin bërë në vitin 1989.

Minatorët e Stantërgut po vazhdojnë me ngulm grevën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ani pse menaxheri i Trepçës gjatë vizitës që u bëri atyre, u tha se “Trepça” nuk ka mundësi buxhetore për rritje pagash për 20 %.

“Djem, unë po ju thërras për punë, nuk po ju thërras për mos punë. Të gjithë kemi ardhur këtu për punë. T’i rrekemi punës, të shkojmë në punë dhe të punojmë. Unë nuk po them të tërhiqemi nga kërkesat. Ju vetëm gjejeni një formë si të rrisim pagat. Unë po them të rrisim prodhimin 20, apo 50 për qind”, tha Xhevdet Tahiri.

Ferid Neziri, kryetar i Këshillit të Grevistëve të Minierës së Stantërgut, tha se minatorët po flejnë mbi ar e po vuajnë nga uria.

“Mbi dukat po flemë e bukë për të ngrënë nuk kemi. I kemi edhe tri kërkesa. Së pari bordin që e kanë formua nuk e njohim. E dyta, ngritja e pagës 20% dhe e treta, të përmirësohen kushtet në minierë”, deklaroi për RTV Dukagjinin Ferid Neziri.

Minatorët e quajnë mëkat heshtjen e Qeveritarëve karshi kërkesave të tyre.

“Është turp i turpit. Nuk kemi sigurim e as ligj”, tha Halil Fazliu- anëtar i Këshillit të Grevistëve, përcjell Telegrafi.

Minatori Isuf Peci thotë se është e çuditshme që buxhet po ka për ngritjen e pagave për Kryeministrin, ministra e zëvendësministra, ndërsa për minatorët nuk po ka.

“Është për habi, qysh nuk ka buxhet kur ata rrisin rrogat e veta. Kryeministri e ka bërë rrogën e vet 3 mijë euro. Për ministra e zëvendësministra ka buxhet, vetëm për ne nuk ka buxhet”, shprehet minatori Isuf Peci.

Në rast se nuk marrin reagim nga qeveria, minatorët kërcënuan me mbylljen në minierë, siç kishte ndodhur  në vitin 89, kundër regjimit serb të atëhershëm.