Vazhdon konferenca për ringjalljen e komunitetit artistik

24.07.2016 07:58:53

Konferenca ndërkombëtare “E kaluara bashkëkohore. E ardhmja historike.‘’,vazhdon sot me ditën e dytë, e cila ka për qëllim të nxisë krijimin e mundësive të reja për zgjerimin dhe ringjalljen e komunitetit artistik.

Konferenca është organizuar nga Autostrada Biennale dhe po mbahet nëHamamin “Gazi Mehmet Pasha”, në Prizren.Seanca e titulluar“Pikat e përbashkëta / Arti, investitorët dhe publiku”, që fillon nga ora 11:00, prekë pikat me interes për artin dhe investitorët – dhe cili është interesi i domenit publik.

Të ftuarit në panel do të debatojnë për atë se a duhet konceptet artistike domosdoshmërisht të filtrohen në filtra politike dhe ekonomike, me qëllim që të mbështeten? A e shohin politikat e menaxhimit ekonomik investimin në art si investim të duhur?

A ka investim apo është një investim fiktiv? Si munden investimet në art dhe kulturë të ndikojnë në ekonominë e vendit. Në seancën e pasdites, “Bienalja e artit bashkëkohor / Ndikimisaj në vend dhe rajon”, panelistët do të diskutojnë se si ishin bienalet dikur dhe si ka përparuar performanca e tyre me vite? Cilat janë përvojat dhe mënyrat drejt një bienale të qëndrueshme?

Ç’rol luan një bienale e tillë në qytet / vend / rajon e më gjerë? A ka bienalja një të ardhme dhe a mund të parashikohet ajo?

Me këtë seancë përmbyllet konferenca “E kaluara bashkëkohore. E ardhmja historike.” që është hapi i parë drejt bienales së artit bashkëkohor Autostrada Biennale, që do të mbahet në shtator të vitit 2017 në Prizren.