Vazhdon që të bjerë numri i lindjeve në Shqipëri, por në BE situata edhe më problematike

13.02.2020 20:32:44

Në Shqipëri shënuan rënie si numri i lindjeve, ashtu edhe shtesa natyrore e popullsisë por prapë vendi ynë karakterizohet nga një shtesë natyrore pozitive, ku lindjet vazhdojnë të tejkalojnë vdekjet. Gjithashtu koeficienti bruto i shtesës natyrore ndryshe nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian është pozitiv, sipas Instat.

Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, “gjatë vitit 2019 lindën 28.561 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me vitin 2018. Shtesa natyrore e popullsisë që përfshin numrin e lindjeve në raport me vdekjet shënoi gjithashtu një rënie me 7,1 %, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2019 vetëm katër qarqe të Shqipërisë shënuan rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2018, ndërsa tetë të tjerë kanë pasur rënie.

Numri më i madh i lindjeve për vitin 2019 shënohet në qarkun e Tiranës, me 9.321 lindje, kurse numri më i vogël i lindjeve regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 506 lindje.

Sipas Instat rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin 2018, e zë qarku i Kukësit me 15,9 %.

Koeficienti bruto i shtesës natyrore për Shqipërinë është 2,5, dhe është më i lartë se disa vende të rajonit si Mali i Zi (1,2), Maqedonia e Veriut (0,8), Serbia (-5,4).

Ndërsa Kosova, ndër vendet e rajonit e ka koeficientin më të lartë me 10,3 për një mijë banorë.

Emigrimi dhe rënia e lindshmërisë rrezikojnë vendin. Fundin e vitit 2018 qeveria shqiptare vendosi të rrisë shpërblimin për lindjen e fëmijëve duke përcaktuar masën e 40 mijë lekëve për lindjen e fëmijës së pare, 80 mijë lekëve për lindjen e fëmijës së dytë dhe 120 mijë lekëve për lindjen e fëmijës së tretë.