Vazhdon shpërndarja e fletushkave, bizneset nuk i bindet vendimit të Komunës

26.05.2019 21:12:12

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Inspeksionit ka marrë vendim që nga data 1 maj të gjobiten të gjitha bizneset që shpërndajnë fletushka në kryeqytet.

Por këtë vendim të Komunës së Prishtinës nuk po e përfillin kompanitë që operojnë në kryeqytet, ato po vazhdojnë të shpërndajnë fletushka edhe përkundër paralajmërimeve se mund të gjobiten.

Lajmi.net gjatë inspektimit në terren ka parë që edhe pas vendimit të komunës, bizneset kanë vazhduar me shpërndarjen e fletushkave.

Lajmi.net ka provuar të marr një përgjigjen nga Komuna e Prishtinës, nëse ka shqiptuar gjoba gjatë kësaj periudhe, por nuk ka marr ndonjë përgjigje.

Sidoqoftë drejtori i Inspeksionit, Adonis Tahiri në një postim në Facebook ka njoftuar se kush do që shpërndan fletushka  në hyrje të banesave e pret dënimi.

Tahiri ka shpërndarë edhe fotografi me gjobat e shqiptuara, mirëpo edhe për kundër interesimit të lajmi.net për të kuptuar se sa është numri i gjobave, Tahiri nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

“Kur fletushkat shpërndahen në shumë hyrje, e në shume kate, dënimi prej 90 € shumëzohet. Të gjitha kompanitë kanë qenë të njoftuara me kohë, publikisht, për një gjë të tillë. Ju bëjmë thirrje edhe njëherë që t’i respektojnë ligjet, udhëzimet administrative dhe rregulloret, ashtu që t’i shmangin gjobat”, ka thënë Tahiri.

Lajmi.net në disa prej ndërtesave në kryeqytet ka arritur të fotografojë fletushkat të shpërndara nëpër hyrje të cilat kryesisht janë të marketeve në Prishtinë.

Ndryshe dënimi për secilën kompani që shpërndan fletushka në qytet apo në hyrje të ndërtesave është 90 euro.