Vazhdon ulja e temperaturave, nga nesër më ftohtë

07.01.2019 00:32:55

Edhe këtë javë vazhdojnë ditë të akullta dhe acar, të mërkurën reshje më të qëndrueshme bore.

Në ditët e para të javës acari polar do të shtrihet mbi rajon duke zbritur temperaturat thellë nën vlera mesatare. Të hënën vende-vende reshjet e dobëta të borës do të vazhdojnë të bien.

Ditën e mërkurë një vorbull ciklonike nga Atlantiku verior me masa të ftohta arktike, pritet të depërtojë në jug të rajonit përmes Italisë, ku nën kushtet e favorshme, me masa të lagështa nga Mesdheu dhe të ftohtit e pranishëm në rajon, do të sjellë reshje më të qëndrueshme bore mbi tërë territorin e vendit, mirëpo që këto reshje nga dita e enjte pritet të pushojnë.

Ditëve në vijim, do të kemi një situatë meteorologjike më dinamike, e kohëpaskohe do të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror që do të përmirësojë cilësinë e ajrit. Ditën e martë, që nuk parashihet të ketë erëra fuqishme, dhe nën shtypjen e lartë atmosferike, vlerat e indeksit të kualitetit të ajrit do të rriten edhe në të pashëndetshme.

E hënë – Shumë ftohtë dhe me erë. Kryesisht me vranësira. Kohëpaskohe reshje të dobëta bore, që deri në mbrëmje pritet të pushojnë. Në mbrëmje kthjellime.

E martë – Në mëngjes acar dhe kthjellime. Mjegull në vise të ulëta. Ditën vranësirat do të shtohen.

mërkurë – Ftohtë. Kryesisht vranët dhe me borë. Vende-vende reshje më intenzive. Në mbrëmje reshjet e borës do të vazhdojnë nëpër lokalitete.

enjte– Ditën e enjte ftohtë. Në mëngjes vende-vende vazhdojnë reshjet e dobëta bore. Gjatë ditës kryesisht me vranësira dhe intervale me diell. Ditën e premte mot shumë i ftohtë, me diell dhe vranësira. Në mëngjes në vise të ulëta mundësi për mjegull.

Temperaturat e ajrit do të luhaten nën vlera mesatare. Minimalet nga -12C deri në -5C, e maksimalet nga -4C deri në -1C.

Era do të fryjë lehtë dhe mesatarisht e fuqishme drejtimesh të ndryshme 1-10m/s.

Shtypja atmosferike do të shënojë rritje lartë mbi vlera normale, por ditën e mërkurë, me afrimin e vorbullës ciklonike do të zbresë thellë nën këto vlera.