VAZHDON ZVARRITJA E PUNIMEVE NË RRUGËN KRYESORE NË VETERNIK

29.12.2018 11:29:43

Rruga kryesore që lidh hyrjet-daljet e kryeqytetit ende po vazhdon të zvarritet. Përveç panoramës së bukur që të jep ajo pjesë tek hynë në Prishtinë, gjendja reale e rrugës së ‘Veternikut’ është bërë mjaft e rrezikshme. Rrëshqitja e dheut dhe prishja e murit mbrojtës, po bën që dy nga katër korsit e premtuara dhe pas rreth dy viteve të inagurimit të punimeve mos të shfrytëzohen.

Qarkullimi i madh i veturave në këtë zonë është mjaft i lartë dhe hapësira mes rrugës dhe rrëshqitjes së dheut, mund të maten me centimetra. Ndërsa, zvarritja e madhe që po ndodhë në këtë rrugë, ka bërë që qytetarëve t’iu humbë durimi  dhe të shohin me skepticizëm gjithë këtë projekt.

Për këto arsye, mjaft problematike këtë rrugë po e sheh, Arianit Loxha nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës. Ai shprehet se vendosja e gabuar e murit mbrojtës ka bërë që rruga atje të rrëshqet vazhdimisht.

Sipas tij, muri mbrojtës i deri tanishëm nuk është vendosur në baza të shëndosha të dheut, dhe siç thotë ai, nëse prapë vendoset në të njëjtën mënyrë dhe themelet nuk vendosen mirë, problemi do të përsëritet.

Përkundër se është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, Komuna e Prishtinës, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Adonis Tahiri thotë se ky projekt ka filluar pa lejen e tyre.

Tahiri shprehet se qysh në fillim të këtij projekti gjithçka ka shkuar keq, pasi nuk ka pasur asnjë konsultim me ta. Sipas tij, rrëshqitja e dheut do të ndodhë gjithmonë me murë masiv, mirëpo duhet të përdoren forma tjera.

Ndërsa, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu i ka hedhur fajin qeverisjes së kaluar, duke u shprehur se gjitha këto probleme që po shfaqen në këtë rrugë janë si pasojë e projektit të gabuar që kanë ndërmarrë ata.

Pavarësisht kësaj, Kadriu thotë se zgjidhja ideale, përkundër rrëshqitjes së vazhdueshme është muri mbrojtës. Mirëpo, përveç këtij të fundit, sipas tij, do të vendosen dhe pilota që do të forcojnë murin dhe ai do vendoset në tokë të fortë me themele të forta, që mos të rrëshqet më.

Afati më i afërt i përfundimit të zgjerimit të kësaj rruge, sipas zëvendësministrit, Kadriu është pranvera e vitit të ardhshëm.

Kjo rrugë ka filluar për zgjerim në vitin 2017, nga qeverisja e kaluar dhe është paraparë që të jetë një rrugë me katër korsi në një drejtim, trotuar me ndriçim dhe shtegun për biçikletë.