Vdekja e zuri me një buqetë lulesh në dorë

25.07.2016 18:46:33

Po bëhen katër vjet kur poeti i Kosovës, Ali Podrimja, poeti i hartës së grisur të atdheut në qytetin Lodeve të Francës, la botën e vdekatarëve të rëndomtë, për të kaluar në përjetësi

 

Nga Ilire Zajmi

ilireE quajtën poet të Panteonit letrar shqiptar, të tjerë “Ali Shën Pagëzori”, zëdhënës shpirtëror të Kosovës, poet të rangut evropian, zëri i poezisë shqipe jashtë vendit, krijues vargjesh elitare, shëmbëlltyrë poetike e etnisë, zë lirie nën qiell robërie… Poezia e tij e përkthyer në shumë gjuhë të botës kishte kryefjalë Atdheun e tij, Kosovën, të cilën ai e njihte më mirë se kushdo tjetër. I çmuar për vlerat artistike të kultivimit të poezisë bashkëkohore nga kritikë, shkrimtarë, studiues, gjithandej në vend, Evropë e botë. Për të është shkruar e do të shkruhet në vazhdimësi. Nuk do të shkruajnë vetëm njohësit e veprës së tij elitare, por do të shkruajnë edhe të njohurit e të panjohurit, shkrimtarë, kolegë, miq, edhe ata që janë rritur me poezitë e Lum Lumit. Katër vjet pas vdekjes së tij kujtoj bardin e poezisë, duke ndërmendur udhëtimin e fundit të tij. Një udhëtim shumë i dëshiruar, i përfolur me dhjeta qindra herë në bisedat tona miqësore në bufenë e Radio Kosovës, ku shiheshim thuaje çdo ditë. Aliu kishte qenë në Festivalin e Poezisë në qytetin e Lodeve të Francës edhe dy herë të tjera. Lumi ishte kryefjala e tij gjatë tërë udhëtimit për në Lodeve. Ndihej krenar se do të përfaqësonte Shqipërinë. Krenar se do të lexonte vargje për Kosovën, në mesin e 50 poetëve nga 24 vende të Evropës. I gëzuar se së shpejti do t’i botohej një libër i ri në gjuhën frënge. Do të nënshkruante kontratën për librin me botuesen e tij, më 18 korrik. Ali Podrimja u paraqit vetëm një herë me poezitë e tij para artdashësve francezë te sheshi “Ura romake”, në Lodeve.

Tingëllon si makth lajmi për vdekjen e njeriut, poetit. Vdekja e Mixhës, me të cilin erdhëm bashkë nga Prishtina për të përfaqësuar poezinë shqipe në Francë ishte krejt e papritur dhe tmerrësisht befasuese. Poeti i madh shqiptar Ali Podrimja u gjet i vdekur në dhe të huaj, i vetëm, në një pyll të izoluar, me një tufë lule në duar. Në vend të paraqitjes së tij me poezi, Festivali organizoi homazh për vdekjen e tij të mistershme. Por as ky njoftim kobzi nuk më bëri të besoj vdekjen e tij, mua që më ra hise të bëja udhën e fundit me të. Ali Podrimja vdiq ashtu si jetoi. Poetët, ashtu si perënditë, nuk vdesin kurrë.