Vdes gazetarja franceze e plagosur në Mosul

24.06.2017 15:56:07
Një gazetare franceze e plagosur nga shpërthimi i një mine në qytetin e Mosulit, në Irak, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Veronique Robert u prek nga shpërthimi që i mori jetën dy kolegëve të saj ditën e hënë dhe ishte kthyer në Francë për të marrë mjekimin e duhur.

Lajmin për ndarjen e saj nga jeta e ka raportuar “France Televisions”. Shpërthimi ndodhi në rajonin Ras al Xhadah, në perëndim të Qytetit të Vjetër.

Iraku mbetet një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët. Sipas organizatës Reporterët pa Kufij, të paktën 28 gazetarë janë vrarë në këtë vend që prej vitit 2014.

Stephan Villeneuve, kameraman dhe Bakhtiyar Haddad, përkthyesi i tyre iraken, humbën jetën nga shpërthimi, teksa po xhironin një kronikë për France 2 TV për avancimin e forcave irakene kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Haddad mbeti i vrarë menjëherë, ndërsa Villeneuve dhe Robert u dërguan në një spital ushtarak në Kajara, në jug të Mosulit.

Villeneuve nuk u mbijetoi plagëve, ndërsa Robert u dërgua më pas në Francë për një mjekim më të specializuar, për të ndërruar jetë këtë të shtunë.