Vdes Göran Wassenius /dega e LDK-së shpreh ngushëllime

15.11.2017 22:31:33

Göran Wassenius ka ndërruar jetë, ky lajm është i hidhur për ne shqiptarët që punojmë dhe veprojmë në Suedi.
Göran Wassenius ishte një humanist i cili luftoi për zbardhjen e dhunës dhe padrejtësive që iu shkaktuan shqiptarëve në Kosovë.

Göran nuk nguronte ti kontaktojë shqiptarët qysh në kohën kur bëhej kthimi i refugjatëve shqiptar nga Kosova, në fillim të viteve të 90´ me qëllim që të ju ndihmojë që të mos bëhej largimi i tyre,sepse ai e dinte të vërtetën për situatën tejet të rëndë të shqiptarëve në Kosovë.
Ishte i palodhshëm për senzibilizimin e çështjes së Kosovës, për senzibilizimin e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve dhe në veçanti për zbardhjen e helmimeve masive të nxënësve shqiptar në vitin 1990.

Miku ynë, humanisti Göran Wassenius gjatë hulumtimeve të tij për helmimet e nxënësve shqiptar në Kosovë ka krijuar kontakte të vazhdueshme me viktimat e helmimeve jo vetëm në Suedi por në cilin do shtet që ai njoftohej se ata gjindeshin, pastaj ai vazhdimisht ka kërkuar ndihmë nga institucionet e Kosovës, OJQ, KMDLNJ, politikanë, humanistë, mjek për të zbardhur të vërtetën se helmimi i nxënësve shqiptar ishte sëmundje e qëllimshme e shkaktuar nga politika gjenocidale serbe.

Pas hulumtimeve të gjata Göran Wassenius rezultatin e hulumtimeve të tij e hodhi në letër, në librin e titulluar ”Den mystiska sjukdomen” ose libri i përkthyer në shqip ”Sëmundja mistike”.
Miku ynë Göran Wassenius, ne shqiptarët kaluam kohë shumë të rënda, këtë gjë Ju e dinit mirë dhe shpresojmë që ne të gjithë kemi mundur të ju dalim juve në ndihmë për zbardhjen e të vërtetës për popullin tonë!

Ju faleminderit miku ynë, humanisti i madh Göran Wassenius për gjithçka që keni bërë për ne, e me këtë edhe për njerëzimin!

I shprehim ngushëllimet tona të thella familjes së Göran Wassenius.

Shpirti yt u prehtë në paqe!

Kryesia e Degës së LDK në Suedi,
Qibrije Hoxha, kryetare