Vdes në mjerim i përndjekuri politik

27.12.2016 13:38:16

Grevisti i urisë, Shpëtim Karamuça, nuk mori asnjë këst, jetonte te shtëpia e shokëve

Sokol Çobo

Një i burgosur politik në kohën e diktaturës, që mori pjesë edhe në grevën e urisë për të protestuar për mungesën e dëmshpërblimit, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Shpëtim Karamuça vuajti 26 vite burg në kohën e diktaturës dhe sipas ligjit, i takonin dhjetëra miliona lekë dëmshpërblim për vitet e burgut. Karamuça, sipas të afërmve dhe shokëve të tij, nuk ka marrë asnjë lek, megjithëse qeveria ka miratuar edhe një akt të veçantë, ku të përndjekurve me sëmundje të rëndë, duhet të dëmshpërbleheshin me të gjitha lekët. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe 73-vjeçari, ka ndërruar jetë si i pastrehë, pasi qëndronte në shtëpinë e Perikli Shqevit. Ai jetonte me lekët borxh dhe donacionet e shokëve, ndërsa i është shpejtuar vdekja edhe nga mungesa e ilaçeve, ushqimit dhe veshjeve të trasha. Bashkëvuajtësi i tij në kohën e diktaturës, Gjergj Ndreca, thotë se Karamuça ishte diagnostikuar me kancer, ndërsa nuk kurohej si pasojë e mungesës së parave, të cilat nuk arriti t’i marrë kurrë, megjithëse gjysmën e jetës e kaloi në qeli.

Shpëtim Karamuca tregon
fleten e analizave qe eshte
diagnostikuar me kancer

Historia e Karamuçës

Shpëtim Karamuça lindi në qytetin e Korçës, në një familje bejlerësh. Gjatë kohës së luftës, në vitin 1942, iu pushkatua nëna. Shpëtimi ishte vetëm dy vjeç, kur ngeli jetim, ndërsa tre vite më vonë, saktësisht në vitin 1945, babai i tij, për të marrë hak, vrau dy persona, të cilët dyshoheshin se i kishin vrarë bashkëshorten. Babai iu fut në burg dhe pas disa muajsh u pushkatua, ndërsa Shpëtimi mbeti rrugëve. Pas jetesës te disa familjarë, ai u shpërngul në qytetin e Elbasanit, ku dhe jetoi deri ditën e arrestimit. Në këtë qytet mori patentën me ndihmën e një shoku, dhe, në biseda me shokë dhe kolegë të punës, shprehej disa herë se i ishin vrarë babai dhe nëna nga komunistët. Madje u martua dhe u bë me një djalë, ndërsa u arrestua në mes të viteve ‘60-‘70, për veprën penale agjitacion e propagandë. Bashkëshortja, nisur edhe nga presioni i kohës, u divorcua dhe krijoi jetë të re. Pas kalimit në hetuesi për disa muaj, Karamuça u dënua fillimisht me 10 vite burg. Disa muaj para përfundimit të këtij dënimi, një kolegj penal, e dënoi sërish në burg, i cili iu zgjat deri në vitin 1991, ku dhe u lirua në muajin janar, pas rrëzimit të regjimit komunist.

Vuajtja vazhdoi

Pas ndërrimit të regjimit, Karamuça, pas 26 viteve në burg, lirohet dhe mundohet të rifillojë jetën nga e para. Hapi i parë ishte kërkesa për të parë të birin dhe kontaktet me të. I biri, emigroi menjëherë në Itali dhe ata u ndanë sërish. Vazhdimësia normale e jetës po i bëhej e vështirë, pasi kishte kaluar një fëmijëri të vështirë, jetim, ndërsa kishte kryer edhe një burg të gjatë, që kishin lënë gjurmë të thella. Jetesa e vështirë në burg dhanë shenjat e para në shëndetin e tij. Ai kishte ftohje të rënda dhe vite më vonë iu shfaq edhe kanceri, sëmundje të cilat filluan ta gërryenin plotësisht. Me ndihmën e të birit, ai u kurua, dhe fillimisht u dhanë shenja të mira. Megjithatë, pas terapisë së gjatë, ai sërish kishte probleme, ndërsa kontaktoi edhe me shokët e tij, bashkëvuajtës, për të kërkuar të drejtën. Pas miratimit të ligjit për dëmshpërblimin e viteve të burgut në komunizëm, u mundua të bënte kërkesën dhe dokumentet, por sëmundja nuk ia mundësonte të ndiqte çdo procedurë. Shpëtim Karamuça nuk mundi të plotësonte dokumentet dhe për rrjedhojë, nuk mori asnjë këst nga lekët që i takonin me ligj.

Në grevën e urisë

Pas nismës së të burgosurve politikë për të protestuar për dëmshpërblimin e munguar nga qeveria aktuale, Shpëtimi i bashkohet kauzës së nisur nga Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko, ky i fundit i vetësakrifikuar. Megjithëse me sëmundje të rëndë, ai qëndroi pa reshtur në çadrën e ngritur në lagjen “Komuna e Parisit”, ndërsa protestoi ashpër për lekët e burgut. Në disa dalje publike, Shpëtimi u tregoi kamerave edhe fletën e spitalit ku ishte diagnostikuar me kancer, ndërsa tha se “do të qëndroj në grevë deri në ditën e fundit të jetës sime”. Ishte shumë i prerë në kërkesa dhe mundi të rezistojë disa ditë pa bukë, madje edhe pa lëngje.

Pa lekë, pa shtëpi

Para dhe pas grevës së urisë, Shpëtim Karamuça, jetonte i vetëm, në mes të katër rrugëve dhe pa asnjë ndihmë financiare. Djali i vetëm është munduar me të gjitha mënyrat për ta marrë në Itali, por ai preferoi që ditët e fundit të jetës t’i kalonte me bashkëvuajtësit e qelive të komunizmit. Protesta e tij, sipas shokëve, ishte për dinjitet, pasi ai kurrë nuk ankohej për mungesën e shtëpisë, veshjeve apo ushqimit. Me kërkesën e vazhdueshme të shokëve, ai qëndronte në shtëpinë e Perikli Shqevit, ku dhe ka kaluar ditët e fundit të jetës. Ndërroi jetë në mjerim të plotë. Ceremonia përkujtimore do t’i bëhet në vendin ku u mbaj greva e urisë, ndërsa varrimi në qytetin e Durrësit.

Detaj

Gjergj Ndreca për Karamuçën…

I kufizuan të drejtën për të jetuar… Kërkonte hapjen e burgut të Spaçit dhe t’u hiqej nënshtetësia të gjithë antishqiptarëve, që kishin bërë pakt me armiqtë. Pretendonte që t’u sekuestrohej pasuria politikanëve dhe t’u shpërndahej të varfërve, personave që kanë vuajtur në diktaturë dhe në të ashtuquajturën demokraci. Dy ditë më parë më tha “Gjergj, tashmë nuk duhet të djegim veten, por këta…”.

Skënder Tufa: “Amaneti i Karamuçës?

Me lekët e tij, t’i blejnë makinë luksoze Berishës”

I përndjekuri politik, Skënder Tufa, thotë se Shpëtim Karamuça ka lënë një amanet. “Disa ditë para se të ndërronte jetë, më tha se ‘Berisha, me lekët e mia, të blejë një makinë luksoze që të shëtisë ai dhe familja e tij me vuajtjen e Shpëtim Karamuçës”, tha Tufa, ndërsa saktësoi se ai ka vdekur në mjerim të plotë, pasi nuk mori asnjë kacidhe nga qeveria. “Nuk është kuruar fare, shteti nuk u mor, ai ka qëndruar në shtëpinë e Perikli Shqevit për një vit e gjysmë dhe ndërroi jetë i dëshpëruar, i fyer dhe i diskriminuar nga politika aktuale. Ne si të burgosurit politikë shprehim indinjatën kundër politikës aktuale të qeverisë. Të burgosurit politikë nuk kërkojnë lëmoshë, nuk kërkojnë para, të burgosurit politikë kërkojnë zbatim ligji. Me humbjen e Shpëtim Karamuçës, ne kemi humbur një pjesë të tyre. Zoti Karamuça i bashkohet Lirak Bejkos dhe është një pishtar, jo i shuar, por i ndezur nga të burgosurit politikë, për çdo qytetar shqiptar, që u bën thirrje që të mos heshtin që të ngrenë zërin kundrejt çdo padrejtësie. Ne u sakrifikuam dje nga diktatura dhe sot po risakrifikohemi nga pseudodiktatura dhe pseudodemokracia, për t’i thënë çdo qytetari që heshtja është krim dhe vetëvrasje”, vijoi Tufa. Sipas tij, përndjekja e të burgosurve politikë dëshmon se qeveria aktuale na kujton vitet e diktaturës dhe nuk na tremb dhe ne do të vazhdojmë rrugën tonë për të kërkuar të drejtat demokratike.

Detaj

Sulme qeverisë

Diktatori Sali Berisha, të përndjekurit politikë do t’i ketë në çdo qoshe pallati, mbas çdo dere zyre… jemi gati me vezë, domate, me hurma në dorë, për të demaskuar çdo zyrtar tëndin që abuzon me liritë dhe të drejtat e njeriut me pasurinë kombëtare

AK: Spahiu: Mandela i Shqipërisë

Qindra aktivistë të Aleancës Kuqezi janë mbledhur për të nderuar sekretarin për të përndjekurit politik të Aleancës Kuqezi, Shpëtim Karamuça, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë nga e cila nuk gjeti kurim dhe që iu agravua më shumë gjatë viteve të vuajtjes në kërkim të së drejtës së mohuar. Sipas njoftimit, Aleanca Kuqezi e ka cilësuar dhe do të vazhdojë ta cilësojë Karamuçën “si Mandela i regjimit komunist”. Në fjalën e tij kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu deklaroi: “Karamuça vuajti nga të dyja regjimet diktatoriale dhe u nda nga ferri Berisha duke ndërruar jetë”. Spahiu ftoi me mijëra kuqezinj për të mbajtur zi dhe për të larguar “Kabilën” e shqiptarëve mbas 23 qershorit”.

FRD: Karamuça, simbol i demokracisë

Fryma e Re Demokratike duke reaguar për vdekjen e ish të përndjekurit politik, akuzon qeverinë për gjendjen e kësaj shtrese. Nëpërmjet një reagimi për mediat, FRD thekson se Shpëtim Karamuça me 26 vjet burg politik, ai ishte simbol i rezistencës antikomuniste, ndërkohë që si akt revolte nën regjimin aktual ndërmori hapin ekstrem të grevës së urisë. FRD tregon respekt për sakrificën e Karamuçës në diktaturë dhe demokraci në emër të lirisë.

Rama: Humbja e Karamuçës, lajmi i dhimbshëm

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar për vdekjen e ish të përndjekurit politik, Shpëtim Karamuça. “Vërtet i dhimbshëm lajmi i vdekjes së të burgosurit politik, Shpëtim Karamuça, 26 vjet burg e së fundi një grevë urie me kancerin në trup! RIP”,- shkruan Rama në rrjetin social “Twitter”. PS mbështeti grevën e disa muajve më parë të ish të përndjekurve, e cila përfundoi me një tragjedi të vërtetë, me vetëdjegien e dy përfaqësuesve të kësaj shtrese, të Lirak Bejkos dhe Gjergj Ndrecës. Bejko nga plagët e marra nuk arriti të shpëtonte dhe ndërroi jetë në spitalet e Italisë. Vetë kryesocialisti Rama, së bashku me ish-kryeministrin Pandeli Majko ka takuar grevistët ku ishin ngujuar. Madje me të ndjerin Karamuça, Rama ka dhe një foto.