Vdes një nga vëllezërit që u plagos në Bathore, detaje nga ngjarja

18.03.2017 15:01:36

Gjen vdekjen në spital njëri nga vëllezërit që mbeti i plagosur me armë zjarri, një ditë më parë në Bathore të Tiranës. Burime nga policia bëjnë me dije se Aleksandër Barlika u qëllua me çifte nga një 16-vjeçar me inicialet L.C., i cili ka rënë në prangat e policisë. Ndërkohë, tre persona të tjerë u arrestuan, mes të cilëve, babai i autorit, Rasim C, 49 vjeç, Altin Barlika 38 vjeç dhe nipi i këtij të fundit K. P 16 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Uniformat blu kanë mundur të zbardhin konfliktin e ndodhur duke vënë në pranga katër personat që u përfshinë në sherr me njëri-tjetrin në Bathore për motive që nga policia cilësohen si të “dobëta”.

Sipas policisë, Aleksandër Barlika së bashku me vëllain e tij Altin Barlika,  38-vjeç, i shkuan në ndihmë nipit të tyre,  i cili ishte konfliktuar me bashkëmoshatarin, L.C, ky i fundit i arrestuar për krimin e dyfishtë. Sipas policisë sherri ka nisur mes dy të rinjve K.P dhe L.C., një ditë më parë. Konflikti nuk ka përfunduar në paqe, por dy adoleshentët kanë përfshirë edhe të afërmit e tyre.

Aleksandër dhe Altin Barlika, i kanë shkuar  në ndihmë nipit të tyre K.P., 16 vjeç. Ndërkohë, babai i autorit të akuzuar për vrasje, Rasim C. ka ndërhyrë për të mbrojtur të birin. Ai nuk e ka duruar faktin që Altini dhe Aleksandri i kanë dhunuar djalin. Ata janë konfliktuar fillimisht me mjete të forta me njëri-tjetrin, por më pas situata ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.

Shtetasit Aleksander Barlika (Bajrami) dhe Altin Barlika (vëllezër ndërmjet tyre) të shoqëruar dhe nga nipi i tyre K. P., kanë nxjerrë një armë tip pistolete dhe kanë tentuar të qëllojnë ndaj shtetasve L. C., D. C. dhe Rasim C., ku në këtë kohë duke përfituar nga gjendja e rremujës së krijuar, shtetasi L. C., ka marrë një armë gjahu, tip çifte me të cilën ka qëlluar shtetasin Aleksander Barlika i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra dhe demtime të lehta trupore shtetasi Altin Barlika”

Nga kjo përleshje kanë mbetur të plagosur dy vëllezërit Barlika dhe ndonëse u dërguan në spital, njëri prej tyre gjeti vdekjen. Ndërkohë, Altin Barlika thuhet se është jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga policia një armë zjarri pistoletë TT me një krehër dhe 8 fishekë dhe një çifte. Ndaj të arrestuarve rëndojnë veprat penale të ndryshme, “Vrasja me dashje”, “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.