Veglave kondomë u është çjerrë maska: nuk fshehin simpatinë për parti të tjera

25.09.2016 18:45:51

Nga Rexhep Kastrati

LDK është partia më e veçantë jo vetëm në hapësirën shqiptare, por përgjithësisht në rajon dhe më gjerë, sepse është e vetmja parti që veproi si lëvizje politike, institucionale dhe kombëtare që e ka udhëhequr një entitet  politiko-territorial në procesin e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Jo vetëm kaq: LDK është unike se diti dhe arriti të bashkërendojë politikisht dhe kombëtarisht shqiptarët në ish-Jugosllavi me të cilat ka hartuar edhe platformën kombëtare dhe Këshillin Koordinues të Partive Politike Snë ish-Jugosllavi. Së këndejmi, LDK ka përfshirë shtresa të gjera shoqërore dhe eksponentë të ideologjive të ndryshme. Prandaj, nga ajo më vonë do të dalin grupime të ndryshme që politikisht janë rritur brenda LDK-së. Procesi i profilizimit të saj nga lëvizje politike në parti politike nuk ka qenë pa pasoja, pasi që atë e kanë përçarë dhe goditur shumë. Hapi i parë serioz i profilizimit të LDK-së u bë 1998 kur doli grupi i Hydajet Hysenit me ideologji enveriste, dhe ky proces vazhdoi pas luftës, dhe po vazhdon edhe më tej. Kuvendi i karrigeve ishte më i rëndi pasi që ia prishi imazhin, ia uli autoritetin dhe bëri që të çahet përsëri. Çarja e LDK-së që e goditi fort edhe për faktin se vinte pas vdekjes së presidentit Rugova, në fakt ishte çarje që do ta nxjerrë në opozitë me tendencë rrënimin e saj.

15geci_1505110916_4

Dhe gjithë kjo bëhej në emër të presidentit Rugova dhe të filozofisë së tij politike, ani që shumica e tyre nuk e kishin idenë se çka ishte filozofia politike e presidentit Rugova dhe pas dështimit, u pozicionuan në parti të tjera, kurse një pjesë u shkrinë në LDK. Dhe shkrirja në LDK ishte vetëm një riangazhim për pushtimin apo shkatërrimin e saj. Dhe kjo histori provoi të përsëritet gjatë kuvendeve të LDK-së nga nëndegët e deri te Kuvendi qendror i saj, gjatë vitit të kaluar. Si maskotë kishin nxjerrë Vjosa Osmanin dhe çikën e Jusufit, me shpresën se me to mund të arrinin qëllimin. Mirëpo, me përvojën e hidhur të Kuvendit të karrigeve, LDK nuk lejoi që të përfshihej në skenarë të ngjashëm, duke bërë të dështojnë të gjithë ata që vepronin si militantë të partive të tjera nën rrogozin e LDK-së. Për këtë arsye i kam quajtur vegla kondomë brenda e rreth LDK-së. Edhe pse dështuan, këto vegla nuk pushuan kurrë së godituri LDK-në, duke i kamufluar sulmet ndaj saj me sulme ndaj kryeministrit Mustafa. Prandaj, sulmet ndaj kryeministrit Mustafa janë sulme ndaj LDK-së, ashtu siç ishin edhe sulmet ndaj presidentit Rugova sulme ndaj LDK-së. Në fakt, veglat kondomë brenda e rreth LDK-së kishin adoptuar të njëjtat mjete, të njëjtën retorikë dhe të njëjtat akuza që bëheshin kundër presidentit Rugova, dhe i përdornin kundër kryeministrit Mustafa, duke treguar vetë misionin që kishin dhe që vazhdojnë të kenë. Edhe në planin mediatik, veglat kondomë brenda e rreth LDK-së u përdorën dhe po përdoren nga ato media, që kishin udhëhequr luftën mediatike kundër presidentit Rugova. Me këtë e bënin të plotë rolin prej vegle kondomë të të tjerëve kundër LDK-së. Por sa më agresivë dhe primitivë që shpërfaqeshin, aq më shumë e demaskonin veten derisa nuk dolën hapur: Vjosa Osmani pas budallakisë me referendumin për koalicione zgjedhore, doli bashkë me Ilir Dedën dhe proklamuan të ashtuquajturin plan pesë pikësh për puçin institucional.

images-3

Pas saj, militantët e injorancës filluan t’i gëzohen hapur aksioneve kundërshtetërore, duke treguar hapur simpatinë e tyre për sektën okulte të Albinit dhe për parti të tjera. Kështu nga të ashtuquajtur rugovistë përfunduan militantë të sektës okulte të Albinit dhe të partive të tjera. Tashmë askush nuk ka dilema se veglat kondomë brenda e rreth LDK-së janë militantë të partive të tjera që përrallisin për rugovizmin me shpresën dhe përpjekjen e fundit për ta pushtuar LDK-në para se ta bëjnë publike përkatësinë në parti tjera, ose para se të bëhen pjesë e ndonjë partie të paralajmëruar.