Vehbi Kajtazi: Drejtësia ta dënojë edhe Milaim Zekën

15.10.2017 12:31:20
Vehbi Kajtazi ka folur pasi Prokuroria ka ndalur për 48 orë Fitim Thaqin, të dyshuarin kryesor, që e sulmoi, të premten në një lokal në Prishtinë.

Ai ka dhënë versionin e tij se Thaqi është vetëm ekzekutuesi ndërsa urdhërdhënës dhe ideator i sulmit është ish-gazetari, tani deputeti, Milaim Zeka.

Themeluesi i portalit “Insajderi” thotë se deputeti i NISMA’s i përfshirë në mashtrim ka zgjedhur sulmin fizik si metodë për t’i ndalur shkrimet që flasin për mashtrime të Zekës me punësime.

Sidoqoftë, Kajtazi thotë se drejtësia duhet të mos ndalet vetëm te personi që e pranoi se kreu sulmin. Thotë se drejtësia shkon në vend kur të zgjerohen hetimet dhe të dënohet edhe urdhërdhënësi.

Në krejt këtë situatë, Milaim Zeka, pas rrahjes së Kajtazit, kishte reaguar duke thënë se nuk qëndron prapa sulmit.

Por, këtë rrëfim nuk e beson Vehbi Kajtazi.

Gazetari  e ka kuptuar të shtunën mbrëma se Fitim Thaqi kishte punuar si shofer i Milaim Zekës. Ka treguar se këtë informacion e ka marrë nga avokati i familjes së Azem Sylës, i cili ka thënë se Thaqi s’ka lidhje me ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK’së.

“Motivi i sulmit ka të bëjë direkt me shkrimet e fundit që i kam pasë për Milaim Zekën. Pra, ky është vetëm ekzekutues i këtij sulmi, ndërsa, ideator edhe frymëzues i tij është Milaim Zeka, i cili qysh vitin e kaluar ka nis një fushatë shpifjesh e linçimi publik kundër meje, familjes time, Insajderit dhe ndërkohë edhe kundër Parim Ollurit- kolegut. Gjithë këtë, Milaim Zeka e ka bërë, pasi që njëri nga viktimat e mashtrimit të tij me viza pune i ka thënë Zekës që nëse nuk mi kthen paret atëherë unë kam me shku në Insajder. Prej asaj kohë ka nisur fushata shpifëse, linçuese me gjuhë të urrejtjes, duke më quajt spiun të Serbisë, të financuar nga nëntoka e Serbisë dhe kinse unë kam agjenda për destabilizimin e Kosovës etj. Gjatë kësaj kohe, unë i kam bërë disa padi në gjykatë kundër Milaim Zekës”, ka thënë Kajtazi për Express.

“Atë ditë kur kemi shku në kafene së bashku me kolegun e juaj Arben Hysenin edhe Vullnet Krasniqin, ky zotëria, Fitim Thaqi, ka qenë i ulur bashkë me Faton Ramadanin, Bekim Shytin, këtë gjermanin që e ka nofkën Shabani, Roland Bartetzko dhe një person tjetër. T’u hy në kafe, aty, unë i kam përshëndet këta njerëz. Asnjëri prej tyre nuk ma ka kthyer përshëndetjen. Janë dëshmitarët aty – Arben Hyseni e Vullnet Krasniqi – se gjatë gjithë kohës këta njerëz janë marrë me mu, kanë folur për mu dhe vazhdimisht më kanë shikuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Ndërkohë, ata kanë hyrë në restauronit tjetër dhe ky është larguar. Pasi jemi çu unë me dy kolegët, pasi i kam paguar kafetë, ka ardhë dhe më ka goditë me krahë për kinse të inskenojë një incidente dhe pastaj ka filluar të më grushtojë. As që e kam shikuar këtë njëri. As nuk jam marrë me to. Ata vazhdimisht janë marrë me mu për shkak të shkrimeve të mia për Milaim Zekën”, shtoi ai.