Vëllai i Klement Balilit: Nuk ka urdhër arresti për të. Lojë politike

10.12.2016 15:58:38

Hektor Balili thotë se për vëllain e tij, Klement Balili nuk ka asnjë urdhër arresti dhe shton se gjithçka që po qarkullon në publik rreth tij është e gjitha një lojë politike.

Sipas asaj që raporton Top Channel, Hektori deklaron se Klementi jo vetëm që nuk është arratisur, por madje vijon jetën e tij normalisht.

“Klementi këtu ka qenë tërë kohës. Sot u nis në Tiranë për dokumente, sepse për atë nuk ekziston urdhërarresti. Kjo është e gjitha një lojë politike”, shprehet ai.

Mëngjesin e sotëm, rreth 200 forca policie, të Policisë se Shtetit, forcat e lëvizshme operacionale, të ndihmuar nga efektivët e Sarandës dhe të Gjirokastrës kanë nisur operacionin për prangosjen e Balilit, pagëzuar nga mediat greke si ‘Eksobari i Ballkanit’.

Burime policore shprehen se në Sarandë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar kontroll me urdhër të Krimeve të Rënda në kompleksin ‘Santa Quaranta’ dhe në disa prona e banesa te tjera të Klement Balilit.