Vëllai i Rexhep Selimit mund të dënohet deri në pesë vjet burg

16.04.2019 18:47:18
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për sulm të zyrtarit policor ndaj Ramadan Selimit, vëllait të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Prokuroria ka konfirmuar se aktakuza ndaj Ramadan Selimit për “sulm ndaj personit zyrtar” është ngritur më 10 tetor të vitit të kaluar.

“Më 15.03.2018, prokurori i çështjes ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve, kurse me 10.09.2018, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit të cekur më lartë, në drejtim të veprës penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’ nga neni 410, par. 2 lidhur me par. 1 dhe neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Insajderit.

“Prokurori i çështjes, në aktakuzë i ka propozuar Gjykatës Themelore të Prishtinës, që i pandehuri R.S., të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, ka njoftuar Prokuroria.

Më 2 mars të vitit të kaluar, vëllai i deputetit Selimi ishte shoqëruar në stacionin policor në Prishtinë nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarit policor. Siç kishin raportuar mediat, ngjarja kishte ndodhur derisa policia e kishte ndalur veturën të cilën po e ngiste Ramadan Selimi për kundërvajtje në trafik.

Dyshohet se Selimi nuk i kishte përfillur urdhrat e policit dhe e kishte sulmuar atë fizikisht.

Sipas Kodit Penal, Selimi mund të dënohet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, raporton Periskopi.

Këto janë akuzat që rëndojnë për të:

Neni 410

Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare

  1. Kushdo që sulmon ose kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar, gjyqtarin, prokurorin apo personin i cili ndihmon në kryerjen e detyrave zyrtare lidhur me sigurinë e përgjithshme, sigurinë e Republikës së Kosovës apo ruajtjen e rendit publik, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.
  2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të lehtë trupor të personit zyrtar apo ndihmësi të tij ose përfshin kanosje për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

BASHKËPUNIMI NË KRYERJEN E VEPRËS PENALE

Neni 31

Bashkëkryerja

Nëse dy apo më shumë persona së bashku kryejnë veprën penale duke marrë pjesë në kryerjen e veprës penale ose thelbësisht duke i kontribuar kryerjes së saj në ndonjë mënyrë tjetër, secili prej tyre është përgjegjës dhe dënohet me dënimin e paraparë për vepër penale.