Vëllai i Xhafajt, protestë kundër Ramës nga disa shqiptarë në Itali

13.05.2018 20:14:53

Pesë të rinj shqiptarë janë ndaluar dhe identifikuar nga policia italiane (Digos), pasi kanë protestuar sot në mëngjes kundër kryeministrit shqiptar Edi rama, i ftuar nderi në Panairin e Librit për prezantimin e libit të tij “Kurban” ose “Il Sacrificio” italisht.

Incidenti ka ndodhur në brendësi të Sallës Blu. Protestuesit, të gjithë shqiptarë, banues jashtë Torinos, kanë mbajtur në duar disa letra format A4, me një foto ku shfaqej një shtrëngim duarsh mes ministrit të Brendshëm italian, Marco Minniti dhe homologut shqiptar Fatmir Xhafaj, i cili ndodhet në qendër të akuzave të opozitës për mosekstradimin dhe burgosjen e vëllait të tij, i dënuar për trafik droge pikërisht në shtetin italian.

Parrullat e vogla të pesë të rinjve shqiptarë, sipas asaj që shkruan e përditshmja italiane “La Stampa”, i referoheshin dënimit prej më shumë se 7 vjet burg për trafik droge të dhënë nga një gjykatë italiane ndaj vëllait të ministrit Xhafaj. Sipas tyre, Agron Xhafaj është “i lirë falë kryeministrit Rama”.

Një nga të rinjtë shqiptarë, mbante në duar edhe një fletëpalosje, ku shfaqej në një takim ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, i akuzuar për trafik droge dhe homologu i tij italian, Alfano.

Rama tha pas incidentit se “ata nuk janë aktivistë, por protestues që ndjekin pothuajse kudo Kryeministrin”.

Gjatë ditës, Edi Rama, në lidhje me librin e tij të prezantuar në Torino, ka shkruar sot në Facebook: Një surprizë e këndshme pjesëmarrja në Sallën Blu të Panairit të Librit në Torino, ku së bashku me të papërsëritshmin Vitorio Sgarbi, prezantuam botimin italisht të “Kurbanit” – Faleminderit Arlinda Dudajt për përkushtimin, Ada Prizrenit për përkthimin dhe Daria Bignardi-t, për parathënien, tre gra të veçanta pa të cilat libri nuk do kishte rënë dot në dorën e lexuesve italianë”