Vëllau i Hashimit, trysnia mbi Serbinë që ta njohë Kosovën, lufta speciale për destabilizim të Kosovës dhe kundëramerikanizmi në rritje në Kosovë

05.03.2020 21:11:05

Nga Rexhep Kastrati

Beogradi shumë “zemërgjerë” me Kosovën: tregon se Ganiu, vëllau i Hashimit paska qenë njeri shërbimit sekret gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar! Ndërkohë, Hashim Thaçin e ka quajtur terrorist, dhe në prag të Konferencës së Rambujesë e kishte dënuar në mungesë! Nuk dua të mohoj, as të pohoj se Ganiu ka qenë njeri i agjenturave, po çështja është pse po e thotë pikërisht tash? Nëse Hashim Thaçi është spiun, pse Serbia do ta djegë atë? A mos është Albini më spiun se Hashimi? Apo e tërë kjo mos ka të bëjë me përpjekje për të futur çarje brendashqiptare, sidomos pas takimit në Washington? Përkundër propagandës kundërshqiptare në gjuhën shqipe, dhe përkundër propagandës kundëramerikane, po në gjuhën shqipe, është e vërtetë se marrëveshja e mundshme Kosovë – Serbi është e rëndë për Beogradin, sepse ëshrë e detyruar ta njohë Kosovën në tërësinë e saj territoriale! Pallavrat se SHBA është kundër pavarësisë së Kosovës, prandaj do t’ia kthejë Serbisë, janë vetëm pjesë e propagandës së artikuluar nga VV dhe nga spiunë medialë, janë veç shpërfaqje e luftës speciale kundër Kosovës! Në këtë kontekst, vjen “zemërgjerësia” e Beogradit që na tregon për vëllaun e Hashimit! Logjikisht, asnjë shtet nuk tregon për spiunët e saj, përveç në raste kur do të arrijë qëllim të caktuar, e në rastin e Kosovës, të ndikojë në raportet e brendahme edhe ashtu të ndjeshme, në funksion të shkaktimit të krizave destabilizuese në Kosovë! Serbia e di se nuk mund të ketë marrëveshje paqësore për ndarjen e Kosovës, dhe në çfarëdo kohe do të jetë e detyruar të njohë pavarësinë e Kosovës, ose të mos e pengojë anëtarësimin e saj në OKB. Dy janë atutë e Serbisë në Kosovë: kundëramerikanizmi që me VV është institucionalizuar, dhe që mund të ndikojë në cilësinë e marrëveshjes eventuale, dhe; destabilizimi i Kosovës që do ta nxirrte jashtë rendit të ditës marrëveshjen Kosovë – Serbi dhe do të hapte mundësi për skenarë ukrainas! Përpjekje të tilla janë zhvilluar nga Serbia gjatë viteve 2004 kur duhej të hapeshin negociatat për statusin e Kosovës, e që mori dritën jeshile një vit më vonë me Raportin e Kai Aides, të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, e që iu dorëzua pasuesit të tij, Ban Ki Mun! Po ashtu, përpjekje të tilla janë zhvilluar gjatë viteve 2015 – 2017 kur Serbia duhej të
zbatonte Kapitullin 35 të BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim, Kapitull që kushte të bënte me Kosovën e që thelb kërkonte nga Serbia ta braktiste Kosovën. Lidhur me këtë Kapitull, presidenti i Serbisë, Nikoliq, kishte deklaruar se nëse Serbia e zbatonte këtë Kapitull do të kishte luftë civile! Dhe me përpjekje të tilla po synon edhe tash që të nxisë tension dhe destabilizim në Kosovë që të shmangë mundësinë e detyrimit të njohë pavarësinë e Kosovës, kurse me kundëramerikanizmin në rritje në Kosovë të legjitimojë para SHBA-ve pretendimet e saj ndaj Kosovës! Përveç këtyre, shtrohet pyetja: pse Beogradi nxjerr informacione për vëllaun e Hashimit, e jo për vetë Hashimin? A mos është shantazh ndaj Hashimit se nëse nuk sillet “mirë” do të mund të publikonte informacione edhe për të? Pra, a mos ka përpjekje për ta disiplinuar Hashimin? Nëse është kështu, pse kjo ndodh pas takimit në Washington? Çka ka ndodhur realisht atje? Pse media të kontrolluara nga agjentura kundërshqiptare dhe shoqëri sekrete u nxitua të jepeshin versione të gjoja marrëveshjes Kosovë – Serbi, herë si modeli Izrael – Palestinë, herë si bashkim i një komune të veriut të Kosovës me Serbinë, herë si Ahtisari plus etj.? Nga dilnin këto “informacione” sekrete: nga administrata e presidentit Trump, që nuk mund të ndodhte që media shqipfolëse periferike të kishin burime të tyre në administratën e presidentit Trump; nga administrata e Hashim Thaçit, e që, po ashtu, nuk do të kishte interes të bënte publike, apo nga administrata e presidentit të Serbisë, që është e interesuar të ketë sa më shumë dezinformata dhe gjysëm të vërteta në Kosovë në funksion të destabilizimit të saj?